Updated; 19-11-2019, 06:52

Banka e Shqipërisë për nevoja të plotësimit të vendeve vakante të punës, shpall për konkurrim 1 (një) vend të lirë në pozicionin e punës “Specialist” në Zyrën e Zhvillimit të Sistemeve të Informacionit, në Sektorin e Përpunimit dhe Publikimit pranë Departamentit të Statistikave Financiare (DStat). 

Detyrat sipas përshkrimit të punës së pozicionit të lartpërmendur, ndër të tjera, përfshijnë: 

Zhvillimin, mirëmbajtjen dhe realizimin e ndryshimeve në sistemet e informacionit, që përdoren dhe/ose administrohen nga Departamenti; Ndjekjen e punës dhe detyrave të njësisë në funksion të administrimit teknik të sistemeve që përdoren nga Departamenti për nevoja të mbledhjes, përpunimit dhe publikimit të statistikave, si edhe zhvillimi i programeve që përdoren për hedhjen e të dhënave të vrojtimeve të njësive të tjera të Bankës; Hartimin e termave të referencës/kërkesave teknike për blerje licencash ose zhvillim sistemesh/paketash/programesh informatike për nevoja të Departamentit si dhe realizimin e të gjitha zhvillimeve shtesë që mund të kërkohen në programet për hedhjen e të dhënave për aplikacionet e realizuara;  Kryerjen e procedurave ditore të backup-it duke garantuar mundësinë për rikuperim të informacionit në rast avarie si dhe kryen zhvillimin e Aplikimeve të ndryshme që nuk mbulohen nga sistemet aktuale informative; Ndërtimin e programeve duke u mbështetur në mjete zhvillimi të standardizuara dhe gjuhë programimi që mundësojnë plotësimin e kërkesave të aplikimit si dhe kujdeset që teknika e programimit e përdorur të lejojë një fleksibilitet sa më të madh për zhvillime të mëtejshme.

Ndër kriteret që duhet të plotësojë kandidati për pozicionin e lartpërmendur "Specialist”, janë si më poshtë vijon:

Edukimi, trajnimi dhe eksperiencat të kërkuara për kandidatët që aplikojnë për këtë pozicion

Arsim universitar në degën Inxhinieri Elektronike/Informatike/Telekomunikacioni dhe/ose shkenca kompjuterike dhe/ose informatike; Nota mesatare e studimeve universitare duhet të jetë 8 ose më lart; Arsim pasuniversitar master shkencor dhe/ose master profesional në fushën e Teknologjisë së Informacionit (Inxhinieri Elektronike/Informatike/Telekomunikacioni dhe/ose shkenca kompjuterike dhe/ose informatike); Eksperiencë profesionale në punë jo më pak se 2 (dy) vjet në veprimtari dhe/ose fusha të ngjashme me pozicionin e punës; Njohje të mirë të gjuhës angleze.

Aftësitë, cilësitë dhe eksperiencat e preferuara për kandidatët që aplikojnë për këtë pozicion

Certifikata dhe trajnime profesionale në fushën e Teknologjisë së Informacionit; Aftësi të larta analitike, për përpunimin e të dhënave; Aftësi shumë të mira komunikuese (me shkrim dhe me gojë); Aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur; Aftësi për tu përshtatet me punën në grup; Njohuri të konsiderueshme teorike dhe praktike në fushën e sistemeve bankare; Aftësi të mira organizuese, të shprehura në koordinimin dhe mbikëqyrjen e punës, prodhimin e materialeve cilësore dhe respektimin e afateve; Aftësi për të kuptuar propozimet dhe vendimet e çdo niveli dhe për t’i zbatuar ato; Njohuri të nivelit të lartë në zhvillimin (programimin) e sistemeve informatike në teknologjitë c# , vb.net, vb6, php, mvc asp.net, javascript, SQL Server dhe Oracle, etj.

Dokumentet e kërkuara:

Kandidatët që do të aplikojnë për konkurrim duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme;

Jetëshkrimi (Curriculum Vitae); Letër motivimi/interesi e cila përmban arsyet dhe pritjet e kandidatit i cili kërkon të punësohet pranë Bankës së Shqipërisë; Diplomë të shkollës së lartë; Dokumenti i/e diplomimit me gradë shkencore, (në qoftë se ka); Listë Notash; Dëshmi të ndryshme kualifikimi (në qoftë se ka); Deklaratë prezantuese/reference nga eprori i tij, punëdhënësi i fundit apo profesori i tij (në qoftë se ka); Dëshmi të gjuhëve të huaja (në qoftë se ka); Raporti i aftësisë në punë; Vërtetim nga prokuroria, gjykata dhe dëshmi penaliteti, ku të vërtetohet që nuk jeni i dënuar ose në ndjekje penale; Certifikatë e gjendjes familjare; Të mos jetë i larguar nga puna për masa disiplinore në bazë të ligjit për nëpunësin e shërbimit civil në Republikën e Shqipërisë dhe Kodit të Punës; Fotografi 2 (dy) copë; Fotokopje e kartës së identitetit;

Kandidatët mund të paraqiten çdo ditë pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të Bankës së Shqipërisë në adresën: “Sheshi Skënderbej nr.1 Tiranë”, për të tërhequr formën e aplikimit, ose mund ta shkarkojnë atë në link-un e mëposhtëm në faqen zyrtare të institucionit në internet:

https://www.bankofalbania.org/Punoni_me_ne/Mundesi_punesimi/Vendim_nr_21_Per_miratimin_e_rregullores_Per_marredheniet_e_punes_te_personelit_te_Bankes_se_Shqiperise.html 

Konkurrimi në Bankën e Shqipërisë bëhet në bazë të proçedurave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me tre faza:

Në fazën e parë, bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim dhe me gojë e cila konsiston në verifikimin nëse dokumentacioni i paraqitur nga çdo kandidat vërteton plotësimin e kërkesave të përgjithshme dhe të kërkesave specifike, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Vetëm kandidatët që plotësojnë këto kërkesa, i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit; Në fazën e dytë zhvillohet testimi me shkrim:

për zotërimin e gjuhës angleze;  për nivelin e njohurive profesionale. 

Në qoftë se rezultati i testimit me shkrim për zotërimin e gjuhës së huaj dhe nivelin e njohurive profesionale është nën nivelin minimal të përcaktuar, kandidati nuk kualifikohet për fazat e mëtejshme të konkurrimit; 

Në fazën e tretë zhvillohet intervistimi me gojë i kandidatëve, i cili synon të evidentojë formimin e përgjithshëm si dhe vizionin personal mbi statusin dhe veprimtarinë e Bankës.

Dokumentacioni të paraqitet brenda datës 27.11.2019. Pas kësaj date nuk pranohet asnjë dokument.

Kandidati, i cili dëshiron të konkurrojë, mund të paraqitet çdo ditë pranë Bankës së Shqipërisë, për t’u njohur me kriteret e vendeve të punës të shpallur për konkurrim dhe për të plotësuar kërkesën përkatëse sipas formatit të miratuar nga Banka e Shqipërisë; Dokumentacioni i kërkuar të dorëzohet në Bankën e Shqipërisë, i mbyllur në zarf me adresën përkatëse dhe të jetë i plotësuar sipas kërkesave të mësipërme. 

(Kujdes: Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose fotokopje e noterizuar. Mosparaqitja e plotë e dokumentacionit sjell skualifikim të kandidatit).