Transmetuar më 18-10-2019, 16:54

Historia e Alvin Berishës, djalit 11-vjeçar me origjinë shqiptare që humbi gjurmët bashkë me nënën e tij që në 2014 dhe më pas u gjet në Siri nga një grup njerëzish humanë të Kryqit të Kuq dhe gazetarësh investigativë italianë dhe shqiptarë, na shkundi mëngjesin e sotëm.

Data 18 Tetor 2019, përkon me gjasat e pakta, që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’u hapen negociatat për të hyrë në Europë. Por ndërsa Europa nuk na do – ne apo politikanët tanë, duhet ta ndajmë ende mes shoqi-shoqit – erdhi dhe na u ul në mes të Shqipërisë dhe shtëpisë, historia e një familjeje, ndër më të trishtuarat që kam dëgjuar ndonjëherë. Rropatja 5-vjeçare e një fëmije, këmbët e të cilit ishin tërhequr zvarrë nga e ëma, mes luftës në emër të shtetit islamik dhe luftëtarëve të Isis, ndiqet nga rropatjet e tjera të shpresës për ta kthyer djalin në vendin ku lindi, në Itali.

Shpresat po duken po aq të zbehta sa negociatat me Europën. Para pak ditësh, u përqafua nga i ati me mall, por u la sërish në kamp sepse duhet një përfaqësi shqiptare ta tërheqë.

Në Rojava, në Siri, mes grave që u shpërlanë në tru dhe fëmijëve që lindën dhe rriten të burgosur nga kjo shpërlarje, gjendet kampi Al Hol, zonë kurde, territor sirian, me sulme turke, tërheqje amerikane, interesim njerëzor italian dhe pritshmëri shqiptare.

Alvin Berisha

Alvini jeton ne kamp në kushte çnjerëzore me 60 fëmijë të tjerë shqiptarë, sipas kolegut Taulant Kopliku, që ndoqi rastin e trishtë bashkë me të atin e Alvinit, Afrim Berisha, dhe e bënë mediatike ndjeshmërinë që duhet të ishte më shumë njerëzore.

Mua nuk më intereson shumë a do hyjmë në negociata, sepse e di se Europa është ende larg, megjithëse gjeografikisht është afër. Ajo çka më intereson, është që Alvini dhe fëmijët e tjerë shqiptarë të kthehen në shtëpi. 61 jetë kushtojnë më shtrenjtë se negociata, apo aleanca, apo përfaqësi ambasadash. Njeriu jep jetën për një fëmijë. Jeta është vetëm 1: Afate negociatash, hapje e mbyllje diplomacish, dhe miqësi shtetesh ka plot.

Ndërsa shteti Italian po përpiqet të lëvizë gjërat nga shtëpia ku u lind dhe u rrit Alvini, uroj me besim e shpresë se shteti shqiptar do të lëvizë gjërat nga vendi që djalit i dha gjuhën – atë të babait – sepse dashuri dhe gjuhë nëne, me sa duket nuk ka patur asnjëherë.

Të shpëtojmë shpirtrat tanë. Të shpëtojmë jetë. Nuk ka europianizim më të lartë, humanizëm më të dlirtë dhe virtyt që lartësohet mbi çdo burokraci dhe interes politik apo gjeografik.

Kujt i dhemb, ju lutem firmosni peticionin këtu.

Lexoni dhe: Çfarë po ndodh me Alvinin e vogël?