Transmetuar më 18-10-2019, 17:20

Pesë vjet më parë, një nënë shqiptare, vendosi t’i hipi avionit dhe të shkojë nga Italia ku jetonin si familje emigrante, në Siri, duke udhëtuar përmes Stambollit. Me vete mori dhe Alvin, djalin atëherë gjashtë vjeç.

Kjo grua, braktisi të shoqin, Afrim Berisha dhe u strehua në Siri, te kampet e zonave të kontrolluara prej pjesëtarëve të organizatës së armatosur ISIS, të cilët kundërshtojnë regjimin e Asad, por kohët e fundit ka përfunduar në një nga kampet e kontrolluara nga forcat ushtarake kurde, në Kurdistan.

Kanë kaluar 5 vjet qysh kurse Alvini jeton në kampet mjerane, në kushte jashtë standardeve evropiane të rritjes dhe edukimit të fëmijëve.

Para pak muajsh, ai ka humbur nënën e cila ka vdekur gjatë një bombardimi, para pak kohësh. Në këtë bombardim, Alvini është plagosur duke dëmtuar njërën këmbë.

Gjatë kësaj kohe, babai i Alvinit bëri përpjekje të vazhdueshme për të rikthyer në gjirin e tij, djalin e vogël që tani është bërë 11 vjeç.

Ai sensibilizoi faktin duke folur me mediat në Itali ku edhe jeton. Ai u lidh me emisionin investigativ “Le Iene” të Italia 1 (Mediaset).

Në vitin 2016, ky emision u mor me çështjen, por nuk pati sukses.

Tre muaj më parë, Alvini i vogël shkroi një letër për babanë e tij Afrimin dhe arriti t’ia dërgojë përmes vullnetarëve të Kryqit të Kuq. Në letër, Alvini i kërkon të atit që ta rikthejë në shtëpi.

Këto ditë, Italia 1, i është rikthyer argumentit dhe pak ditë para se të nisnin bombardimet turke në Siri, ka arritur që të çmallë babanë me djalin duke e dërguar Berishën në kampin “Al-Hol” në Siri.

Alvin takohet me babain

Por pse janë në këtë kamp në Kurdistan, gratë dhe vajzat nga Shqipëria dhe plot vende të tjera?

Vitet e fundit, forcat ushtarake kurde kapën gra dhe fëmijë gjatë luftës mes kurdëve dhe dy organizatave ISIS dhe Al-Nusra, që vepronin në Siri dhe Irak. Gratë dhe fëmijët ngecën në kampin që mori emrin “Al-Hol”, ku jetojnë 73 mijë persona, të shumëkombësive, mes tyre edhe shqiptarë.

Kampi “Al-Hol”, sipas mediave ndërkombëtare është një vend me higjienë problematike, i mbipopulluar dhe i mbushur me refugjatë të Shtetit Islamik, Kalifatit që mban emrin e Abu Bakr Al Baghdadi. Në këtë vend ka nevojë për ushqim, ngrohje dhe kujdes shëndetësor. Në kamp janë vrarë njerëz pas problemeve të ndryshme, kryesisht konflikte të dhunshme.

Tani po bëhen përpjekje për të rikthyer në vendbanim, Alvinin e vogël dhe nënën e tij, por vështirësitë duket të jenë të mëdha. Kryeministri Edi Rama tha pasditen e sotme se riatdhesimi i Alvinit, nënës së tij, por edhe një numri shqiptarësh të tjerë në Siri, është i vështirë dhe nuk varet nga ambasada e Shqipërisë në Turqi dhe as nga ambasada të tjera, pa dhënë detaje të mëtejshme dhe pa thënë nëse do të ketë një ndërhyrje konkrete.

Alvini i vogël, por edhe rreth 73 mijë fëmijë dhe gra në kampin “Al-Hol”, janë të rrezikuar, sidomos tani që ushtria turke ka mësyrë në Siri dhe po godet disa zona, ku nuk përjashtohet dhe ajo ku ndodhen këta njerëz të pambrojtur. Është e ditur, se sa i mprehtë është konflikti mes turqve dhe kurdëve, të cilët, këta të fundit, kontrollojnë aktualisht këtë kamp.

/noa.al/

Firmosni peticionin këtu.