Transmetuar më 15-08-2019, 12:57

Kanë dalë sot para Gjykatës së Fierit dy personat e akuzuar për vrasjen e 23-vjeçarit Florian Selimi në fshatin Hamil.

“Arrest me burg” vendosi gjykata ndaj tyre, duke bërë që të qëndrojnë në qeli në vijim të hetimeve.

Sakaq dy të rinjtë fierakë kanë mohuar akuzën për vrasjen e viktimës, duke thënë se nuk kanë gisht në vrasje.

Krimi i rëndë ndodhi në orët e vona të natës së 11 gushtit, e diel, ku në fshatin Hamil u gjet i vrarë me thikë i riu tropojan.

Nga hetimet e kryera, si të dyshuar u arrestuan Sadi Selaci, 26 vjeç, banues në fshatin Sulaj dhe Kiri Mernicaj, 20 vjeç, banues në fshatin Sulaj.

Ata akuzohen se në fshatin Hamil, në bashkëpunim me njëri tjetrin, për motive të dobëta, kanë vrarë me thikë 23-vjeçarin Selimi, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Dy të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Policia tha zyrtarisht se rreth orës 07:00 të kësaj të hëne, në vendin e quajtur “Kthesa e Hamilit” është gjetur pa shenja jete në kanal 23-vjeçari Florian Selimi.

Sakaq pranë kanalit ku u gjet trupi i pajetë, është gjetur një makinë tip “Renault” me targa AA641EN, me kofano të hapur dhe një gomë të hequr. Pak para se të humbte kontaktet, viktima kishte telefonuar të atin dhe i kishte kërkuar ndihmë, pasi kishte defekt në makinë.

Florian Selimi ishte me origjinë nga Tropoja dhe prej disa vitesh jetonte në Fier. /a.y/noa.al

Zbardhet vrasja e të riut tropojan në Fier, arrestohen dy persona

U gjet në kanal, kush është i riu tropojan i vrarë me thikë në Fier