Transmetuar më 15-06-2019, 12:35
Foto ilustruese

Ministria e Brendshme reagon ndaj pretendimeve të ish-Kryeministrit Sali Berisha se një truprojë i Kryeministrit Edi Rama ka humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë, dhe se policia fsheh ngjarjen.

Në qëndrim thuhet se Ministria e Brendshme nuk angazhohet në përgënjeshtrimin publik të insinuatave apo lajmeve të rreme që publikohen nëpër rrjetet sociale.

“Por kur media të caktuara, që pretendojnë seriozitet dhe përgjegjshmëri publike, bëhen zëdhënës të tyre, Ministria e Brendshme e quan me dobi publike reagimin. MB hedh poshtë me neveri insinuatën e turpshme të publikuar sot në disa media për kinse humbje jete apo plagosje të truprojeve të Kryeministrit gjatë provokimeve nga disa protestues të Partisë Demokratike në Librazhd, më datë 13.06.2019. Nuk ka pasur kurrfarë problemi për jetën dhe shëndetin e truprojeve të Kryeministrit gjatë veprimtarisë së zhvilluar në Librazhd, apo në qarqet e tjera të vendit gjatë këtyre ditëve”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Brendshme fton median e përgjegjshme dhe opinionin publik që të jenë shumë të kujdesshëm me insinuata të kësaj natyre haluçinante, të cilat kanë shpesh herë të njëjtin burim dezinformimi dhe që sipas kësaj ministrie, synojnë vetëm një gjë: krijimin e një klime pasigurie dhe paqartësie në vend.

Po ashtu MB i kujton opinionit publik se nga i njëjti burim, që ka publikuar së pari insinuatën e sotme, vetëm përpara pak ditësh, u përhapën trillime monstruoze që synonin të kompromentonin Policinë e Shtetit dhe t’i ngarkonin asaj paturpësisht përgjegjësinë për goditjen e dy protestuesve gjatë protestës së datës 2 qershor 2019, për të të cilat thuhet, siç u provua botërisht, kishin ardhur nga protestues të tjerë.

“MB fton mediat që kanë publikuar këtë insinuatë kaq flagrante dhe në shpërfillje të plotë të parimeve profesionale të gazetarisë që të distancohen nga praktika të tilla, që të përgënjeshtrojnë njoftimin e dhënë dhe të marrin masa që në të ardhmen të mos ndodhin më raste të ngjashme dezinformimi”, thuhet në mbyllje të qëndrimit. /a.y/noa.al

“Policia fsheh ngjarjen, vdes një nga truprojat e Ramës, tjetri në gjendje të rëndë”