

Autoriteti Rrugor Shqiptar del me deklaratë sqaruese lidhur me heqjen e tabelave në gjuhën greke në jug të vendit
Nisur nga konstatimi për vendosjen në rrugën kombëtare Qafë Muzinë- Sarandë- Konispol, të sinjalistikës rrugore me emërtime të qendrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe shqipe, Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë mbrëmjes së mbrëmshme, në bashkëpunim me Policinë e shtetit ka realizuar heqjen e 35 tabelave.
Sqarohet se tabelat ishin vendosur jashtë standardeve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës Autoritetit Rrugor Shqiptar.
“Sa me sipër, çdo palë e tretë jo ent pronar i rrugës, në kushtet kur vendos të ndërhyjë në rrugë apo vendosje sinjalistike treguese për zonat e banuara, duhet t’i referohet “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” dhe V.K.M Nr.446, datë 05.03.2008 “për përcaktimin e specifikimeve teknike të tabelave të emërtimeve të parqeve, shesheve, bulevardeve e rrugëve dhe të numërtimeve të ndërtesave”, thuhet në qëndrim.
Më tej nënvizohet se ARRSH konstatoi se 35 tabela të vendosura në këtë aks nacional, nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në kodin rrugor të Republikës së Shqipërisë për mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonte shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmëruese në këtë aks.
Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për sa i përket specifikimeve teknike të tyre.
ARRSH thotë se konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për sa i përket renditjes së emërtimëve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.
Si rrjedhojë, duke e konsideruar vendosjen e këtyre tabelave në shkelje të procedurave ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe Policinë Gjyqësore, kanë ndërmarrë gjatë mbrëmjes se 4 majit masat për heqjen e këtyre tabelave duke eliminuar nga rruga 35 tabela sinjalizuese, të cilat ulnin sigurinë rrugore të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





