Transmetuar më 05-05-2019, 10:18

Një aksion i zhvilluar gjatë natës në Bashkinë e Finiqit, ka bërë që policia të heqë disa tabela të shkruara në greqisht.

Bëhet fjalë për tabela të vendosura në akset rrugore të bashkisë.

Mësohet se gjatë aksionit të policisë ka pasur edhe momente tensioni me banorët.

Gjatë ditës së djeshme ishte Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ajo që e cilësoi si provokim, vendosjen e tabelave në jug të vendit në gjuhën greke.

PDIU akuzoi Kryeministrin, duke thënë se çdo gjë është bërë me lejen e tij.

Lidhur me këtë situatë ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj, e cila e cilëson si turp kombëtar.

“Shikoni këto tabela rrugore? Lart greqisht, poshtë shqip. Duhet të ishte e kundërta. Sepse gjuha shqipe është gjuha zyrtare në Kushtetutën tonë. Gjuhët e pakicave gëzojnë të drejta të përdorimit lokal, por jo të jenë parësore karshi gjuhës zyrtare. Kjo është e qartë edhe në Konventën Kuadër të KE-së për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ratifikuar me ligjin nr 8496, dt 3.6.1999.

Mbrojtja e të drejtave të pakicave, në rastin konkret ajo greke, nuk mund të bëhet në dëm të prestigjit të gjuhës së shumicës që është gjuhë zyrtare. Ligji për Pakicat Kombëtare, që u miratua në Kuvend para gati një viti kishte shumë probleme të kësaj natyre, të cilat i kam ngritur gjatë diskutimit të tij. Pata theksuar, ndër të tjera, lidhur me përgjegjësitë që do kishte Këshilli i Ministrave dhe institucionet e tjera për zbatimin korrekt të tij. Ky është një rast i paprecedentë, kur ligji po ndëshkon prestigjin e gjuhës së shumicës, kurse sa për tabelat rrugore edhe në gjuhën shqipe në Prevezë, Igumenicë, Filat etj., kjo e drejtë s’është e drejtë”, shkruan Rrokaj. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd