Transmetuar më 13-04-2019, 13:51

Pas supergrabitjes së të martës që lamë pas në aeroportin e Rinasit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë një nga të dyshuarit Admir Murataj, janë hedhur një sërë hipotezash.

Ajo që u tha fillimisht është se Murataj u vra nga policia, si kundërpërgjigje ndaj të shtënave që vinin nga furgoni që kreu grabitjen.

Por nuk vonoi shumë që në media dhe në opinionin publik, të përflitet gjerësisht se Murataj, mund të jetë vrarë nga bashkëpunëtorët e tij.

E ndërsa identifikimi u bë nga e shoqja në morgun e Tiranës, teksa ai u gjet i pajetë me maskën e një fytyre tjetër në kokë, tashmë mbetet të vërtetohet se kush e vrau.

Por si do të zbulohet e vërteta? Përgjigjen do e japë ekspertiza balistike.

Kjo pasi do të bëhet ekzaminimi i predhës që i mori jetën Murataj, për të zbuluar është është qitur nga armët e policisë apo nga ndonjë armë tjetër, çka do të shtonte dyshimet se mund të jetë vrarë nga shokët e tij.

Grabitja e parave ndodhi pak para orës 15.00 të kësaj të marte, më 9 prill, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me katër persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. /a.y/noa.al

U vra pas grabitjes, njihuni me 13 identitetet që përdorte Admir Murataj

Para grabitjes, sa herë të tjera është cenuar siguria e aeroportit