Transmetuar më 13-04-2019, 10:55

Që në prill të vitit 2016, domethënë dy muaj para grabitjes së 30 qershorit 2016, në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës ishin konstatuar probleme të rënda të sigurisë, por, me gjithë paralajmërimin e bërë nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), nuk u mor asnjë kundërmasë, duke bërë të mundur kështu që pak javë më pas një bandë kriminelësh të hynte në pistë, duke grabitur një furgon që transportonte disa miliona euro të një banke.

Por, përballë indiferencës së firmës koncesionare, u vu re një qendrim i çuditshëm edhe nga ana e Autoriteti i Aviacionit Civil (në atë kohë të drejtuar nga Aleksandër Lipivani i LSI-së), i cili, edhe pse kishte në dispozicion shumë instrumenta për ta detyruar firmën koncesionare që të reagonte, në fakt u kufizua vetëm me disa vërejtje me shkrim dhe duke vendosur (në korrik 2018) vetëm një gjobë 500.000 lekë, që janë qindarka për një kompani, e cila në 10 vjet ka fituar 180 milionë euro të ardhura. Përse Autoriteti i Aviacionit Civil nuk përdori të gjithë forcën që i kishte vënë shteti në dispozicion? Dhe pse, pavarësisht nga problemet e rënda të evidentuara, nuk paraqiti asnjëherë asnjë kallzim penal kundër firmës koncesionare, sikurse është detyrimi ligjor?

Përgjegjësia në këtë fushë është në formë piramide: në bazë të saj është kompania koncesionare “TIA” dhe firma “ICTS”, e cila ka fituar tenderin privat për sigurinë e aeroportit, por në majë mbetet Autoriteti i Aviacionit Civil, të cilit i takon kontrolli përfundimtar. Kështu, nëse ka gabuar koncesionari, është përgjegjësia edhe e AAC-së që nuk ka reaguar në masën e duhur.

Redaksia investigative e Shqiptarja.com ka analizuar situatën e sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza” nga viti 2016 e deri më sot, duke zbuluar se grabitja skandaloze e pak ditëve më parë është vetëm episodi i fundit i një serie shkeljesh të sigurisë në të, të ndodhura këto tre vjetët e fundit. Një nga këto episode, i regjistruar ndërmjet 15 dhe 16 janarit 2017, u konsiderua aq i rëndë, sa të “klasifikohej”, pra të mbulohej nga sekreti shtetëror. Mbi këtë episode nuk kemi mundur të mbledhim detaje të tjera, por është e sigurt që për këtë rast ka nisur një hetim i brendshëm, i cili edhe një herë tjetër nuk ka sjellë asnjë rezultat.

Dështimet në testin e sigurisë në prill 2016

Sipas dosjes me fakte të mbledhura nga Shqiptarja.com, në testin e Sigurisë që AAC ka zhvilluar në datë 20 prill 2016 (pra dy muaj para vjedhjes së datës 30 qershor që ndodhi brenda në pistën e aeroportit), kompania e sigurisë “ICTS Albania”, e kontraktuar nga koncesionari i aeroportit të Rinasit, ka dështuar në tri pika: 1.Në skaner për kalimin e artikujve të ndaluar (objekt i mprehtë); 2.Në skaner për eksplozivë; 3.Në kamerat e sigurisë për diktimin e një personi (testuesi) që kërcënon perimetrin rrethues.

Duke parë rëndësinë e këtij procesi dhe rezultatin e testimit të fshehtë, Aviacioni Civil, nëpërmjet raportit të datës 13.05.2016, kërkoi që plani i masave korrigjuese të dërgohej brenda 10 ditëve nga marrja në dorëzim e tij. Por kompania koncesionare “TIA” nuk i ka respektuar afatet kohore të caktuara nga AAC për adresimin e gjetjeve të testimit. Në lidhje me dështimin e testit të fshehur të perimetrit të aeroportit, TIA ka adresuar vetëm mangësinë e sistemit CCTV dhe masat për korrigjimin e tyre, por jo mangësinë në patrullimin e perimetrit, i cili mungonte përgjatë të gjithë kohës së testimit tek gardhi i rrethimit të aeroportit.

Rekomandimet e lëna nga auditi pas grabitjes së qershorit 2016

Pas grabitjes së armatosur brendapistës së aeroportit, që cilësohet si zonë e kufizuar e sigurisë,më 30 qershor 2016, drejtori ekzekutiv i AAC-së ka mbledhur Komitetin Kombëtar të Sigurisë të Aviacionit Civil më 8 korrik 2016. Pas kësaj mbledhje është zhvilluar një audit i përbashkët i sigurisë, i kryer më datë 10-14 tetor 2016. Ky audit ka lënë një sërë rekomandimesh, si: 1.Në aeroport të kryhen rregullisht ushtrime të sigurisë nga aeroporti dhe në nivel kombëtar, ku të përfshihen edhe operatorët e aeroportit, shoqëritë ajrore, Policia, Dogana, Ofruesi i Shërbimeve të Lundrimit Ajror (Albcontrol Sh.a), AAC dhe partnerë të tjerë; 2.Në aeroport të kryhet vlerësim i rrezikut dhe të vendoset frekuenca dhe rrugët për kryerjen e patrullimeve dhe vëzhgimit; 3.Policia të përfshihet më shumë në sigurinë e aviacionit dhe të vendosen kanale komunikimi me të mira për një koordinim më efikas midis Policisë dhe aeroportit; 4.Në aeroport (nga vetë koncesionari) të ketë mbikëqyrje më të fortë dhe kontroll të cilësisë mbi shërbimet e sigurisë së “ICTS Albania”; 5.Imazhet e kamerave në dhomë (CCTV Room) të ndahen/ të jenë on-line me Policinë, ose të ketë një oficer policie të pranishëm në dhomë; 6.Të ngrihet një qendër operimi e sigurisë në CCTV Room, ose në një dhomë tjetër, me qëllim që oficerët e Policisë të Komisariatit të Aeroportit dhe personeli i “ICTS Albania” të kenë të njëjtin informacion në të njejtën kohë; 7.Aeroporti të konsiderojë uljen e numrit të Daljeve të Emergjencës, madje duke mbyllur portën hyrje/dalje përballë subjektit “Air BP Albania SHA”, ku ndodhi ngjarja e datës 30 qershor 2016 dhe së paku dy portat tek zona ushtarake.

Problematikat e zbuluara pas incidenteve në vitin 2017

Në dhjetor të vitit 2016, për shkak të një informacioni konfidencial, Policia e Shtetit ka kërkuar rritjen e nivelit të sigurisë nga koncesionari në Nivelin 2. Disa nga masat janë zbatuar, por jo një pjesë e mirë e tyre. TIA kreu një ushtrim emergjence në datë 14 nëntor 2017 me subjekt “Shkaktim i zjarrit në pistë”, në skenarin e të cilit pretendohet se kishte pjesë dhe siguria. Autoriteti i Aviacionit Civil nuk e pranoi ushtrimin miks të problemeve nga zjarri dhe atë të sigurisë, por kërkoi të planifikohej një ushtrim i mirëfilltë për sigurinë. Kjo kërkesë e AAC nuk ka pa marrë përgjigje nga koncesionari. Ndërkohë që ushtrimi i sigurisë u konkretizua vetëm më 31 mars 2019, pra me plot dy vite vonesë.

Pas disa incidenteve të ndodhura, Drejtoria e Mbikëqyrjes së Sigurisë së Aviacionit ka raportuar kryerjen e hetimeve të sigurisë për ngjarjen e datave 15-16 janar 2017 (e klasifikuar)dhe për incidentin e datës 9 shtator 2017, kur u zbulua çarja e rrethimit të perimetrit nga një person i paautorizuar, në tentativë për t’u imbarkuar në një avion pasagjerësh. Grupi i hetimit arriti në konkluzionet se Operatori duhet: 1.Të kryejë analizën e shkaqeve rrënjësore të shkeljes së sigurisë së aeroportit, të datës 9 shtator 2017; 2. Të kryejë studimin për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut ndaj sigurisë së aeroportit; 3.Të zhvillojë dispozitat në programin e sigurisë së aeroportit, për mbrojtjen e perimetrit dhe të kontrollit në hyrje; 4.Të përfundojë dhe të paraqesë në AAC kopje të marrëveshjeve (SLAs) me Komandën e Forcës Ajrore dhe Policinë e Komisariatit Rinas për ndarjen e përgjegjësive dhe bashkëpunimin në kuadër të masave parandaluese të sigurisë së aviacionit, përfshirë kontrollin e hyrjeve të paautorizuara në zonat e sigurisë dhe të jo-sigurisë (ana e jashtme e perimetrit rrethues të sigurisë); 5.Të përmirësojë sistemin e patrullimit, vëzhgimit, ndriçimit dhe mirëmbajtjes së perimetrit rrethues të sigurisë së aeroportit, përmes vendosjes së masave shtesë, që të shmanget ripërsëritja e incidenteve, apo shkeljeve të sigurisë në “TIA” dhe të njoftojë AAC.

Në fund të këtij raporti grupi i hetimit konkludon se në total masat e sigurisë në aeroportin e Rinasit nuk janë të mjaftueshme. “Një nga objektivat primare të sigurisë së aeroportit është që të garantojë një mjedis të sigurt për aktivitetet e aeroportit dhe të mundësojë kryerjen e tyre në mënyrë efiçente. Ngjarjet e mësipërme tregojnë se masat aktuale, që ka vendosur Operatori i Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza" Rinas, nuk janë të mjaftueshme dhe efektive. Ato duhet të rishikohen në kontekst të ngjarjeve të ndodhura, por edhe të rritjes së kërcënimeve në shkallë rajonale e globale ndaj sigurisë së aviacionit civil”, thuhet në mbyllje të konkluzioneve. Por mesa duket as ky raport i ri “fshikullues” nuk e ka bindur Agjensinë e Aviacionit Civil që të marrë masa të tjera veç këshillimeve e rekomandimeve ndaj kompanisë koncesionare të aeroportit.

Pas shumë dështimesh, vetëm një gjobë për koncesionarin

Problemet e sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza” vazhduan edhe në vitin 2018. Një tjetër incident ndodhi më datë 16 qershor 2018, kur u zbulua kalimi në check-in nga një pasagjer pa diktim. Pas incidentit, grupi i hetimit i AAC-së arriti në këto konkluzione:“Duke marrë shkas nga vonesa prej më shumë se 72 orësh, që ka patur raportimi i këtij incidenti sigurie, nga operatori i aeroportit, tek AAC, për shkak, siç pretendohet, të ndjekjes së proçedurës së brendshme për verifikimin e ngjarjes nga departamenti përkatës, ‘TIA’ në vazhdim duhet të garantojë që një njoftim paraprak për AAC-në të përcillet në kohë reale me mjetet në dispozicion dhe më pas të plotësohet në formën e duhur”.

Më 7 maj të po këtij viti nga Aviacioni Civil bëhet një testim i fshehtë sigurie, ku kompania koncesionare dështoi dhe më në fund ndëshkohet me një gjobë me vlerë 500.000 lekë të reja. “Pas testimit të fshehtë të sigurisë më 7 maj në pikën e kontrollit të pasagjerëve, i cili rezultoi me dështimin e operatorit aeroportual në evidentimin e artikullit të ndaluar në bagazhin e kabinës së pasagjerit (testues),komisioni i shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative (KSHKA) vërejti se “Tirana International Airport Shpk”, në veprimtarinë e tij lidhur me zbatimin e programit të sigurisë, ka neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për garantimin e një mjedisi të sigurt në aeroport dhe parandalimin e akteve të ndërhyrjes së paligjshme. Përsa më lart, Komisioni në mënyrë unanime përcaktoi se mosveprimet e subjektit përbëjnë kundravajtje administrative dhe, në përputhje me ligjin, vendosi dënimin me gjobë në vlerën 500.000 lekë“, thuhet në vendimin e AAC.

Dështimi i radhës, ndëshkohet vetëm me paralajmërim!

Por, pavarësisht gjobitjes nga AAC, kompania koncesionare TIA dhe nënkontraktori i saj i sigurisë ICTS sërish kanë shfaqur problem të theksuara në mbarëvajtjen e sigurisë. Operatori aeroportual u bë përsëri subjekt hetimi nga AAC për shkak të një tjetër ngjarjeje, të ndodhur në fluturimin 2229 të operatorit të huaj “Blue Panorama”, në mosevidentimin e artikullit të ndaluar në bordin e avionit dhe mosraportimin e ngjarjes pranë AAC-së.Hetimi i AAC-sëpër këtë ngjarje arriti në këto konkluzione kundrejt operatorit TIA: 1.Nënkontraktori i shërbimit të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, kompania “ICTS” ka dështuar në qëllimin e tij kryesor, që është moslejimi i artikujve të ndaluar në zonat e kufizuara të sigurisë dhe bordin e avionëve; —-Autoriteti i Aviacionit Civil ka vendosur të marrë masën paralajmërim formal (paralajmërim përpara vendosjes së gjobës) kundrejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”; 3.AAC ka revokuar certifikatën e operimit të Drejtuesit të Sigurisë të „TIA“-s dhe ka kërkuar propozimin për Drejtuesin e ri. Pra, çuditërisht në një rast të përsëritur shkelje të sigurisë nga ana e koncesionarit të aeroportit, kur vetëm pak kohë më parë ishte gjobitur nga AAC, këtë herë agjencia shtetërore nuk është edhe më e ashpër me operatorin privat, por është mjaftuar vetëm me një paralajmërim!

Pavarësisht shkeljeve të përsëritura të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vetëm grabitjes skandaloze të ditëve të fundit ka paralajmëruar për masa shumë të rrepta, por ende nuk është e qartë nëse është bërë më në fund një kallzim penal për t’i dhënë mundësi Prokurorisë të nisë një hetim zyrtar. Ministria ka kërcënuar edhe se mund të nisë procedurat për të revokuar koncesionin. Më 7 korrik do të skadojë edhe licensa e dhënë pesë vjet më parë shoqërisë “ICTS Albania” për të zhvilluar aktivitetin e sigurisë brenda aeroportit. Ky mund të ishte rasti i duhur për të rivendosur në aeroportin e Tiranës rregulla dhe siguri sipas standardeve të kërkuara. Hetimi i Prokurorisë, veç përgjegjësisë së firmës koncesionare dhe të shoqërisë “ICTS”, gjithashtu duhet të verifikojë edhe arsyet e tolerancës së treguar nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë se pse është pritur kaq gjatë përpara se të ndërhyhet në mënyrë rrënjësore.

Testi i Sigurisë nga AAC në prill 2016, 3 pikat ku dështoi kompania e sigurisë “ICTS Albania”

-Në skaner për kalimin e artikujve të ndaluar (objekt i mprehtë);

-Në skaner për eksplozivë;

-Në kamerat e sigurisë për diktimin e një personi (testuesi) që kërcënon perimetrin rrethues.

Rekomandimet e lëna nga Auditi i sigurisë, tetor 2016

-Në aeroport të kryhen rregullisht ushtrime të sigurisë nga aeroporti dhe në nivel kombëtar, ku të përfshihen edhe operatorët e aeroportit, shoqëritë ajrore, Policia, Dogana, Ofruesi i Shërbimeve të Lundrimit Ajror (Albcontrol Sh.a), AAC dhe partnerë të tjerë.

-Në aeroport të kryhet vlerësim i rrezikut dhe të vendoset frekuenca dhe rrugët për kryerjen e patrullimeve dhe vëzhgimit.

-Policia të përfshihet më shumë në sigurinë e aviacionit dhe të vendosen kanale komunikimi me të mira për një koordinim më efikas midis Policisë dhe aeroportit.

-Në aeroport (nga vetë koncesionari) të ketë mbikqyrje më të fortë dhe kontroll të cilësisë mbi shërbimet e sigurisë së “ICTS Albania”.

-.Imazhet e kamerave në dhomë (CCTV Room) të ndahen/ të jenë on-line me Policinë, ose të ketë një oficer policie të pranishëm në dhomë.

-Të ngrihet një qendër operimi e sigurisë në CCTV Room, ose në një dhomë tjetër, me qëllim që oficerët e Policisë të Komisariatit të Aeroportit dhe personeli i “ICTS Albania” të kenë të njëjtin informacion në të njëjtën kohë.

-Aeroporti të konsiderojë uljen e numrit të Daljeve të Emergjencës, madje duke mbyllur portën hyrje/dalje përballë subjektit “Air BP Albania SHA”, ku ndodhi ngjarja e datës 30 qershor 2016 dhe së paku dy portat tek zona ushtarake.

Konkluzionet e grupit të hetimit pas incidenteve në 2017:

-Të kryejë analizën e shkaqeve rrënjësore të shkeljes së sigurisë së aeroportit, të datës 9 shtator 2017;

-Të kryejë studimin për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut ndaj sigurisë së aeroportit;

-Të zhvillojë dispozitat në programin e sigurisë së aeroportit, për mbrojtjen e perimetrit dhe të kontrollit në hyrje;

-Të përfundojë dhe të paraqesë në AAC kopje të marrëveshjeve (SLAs) me Komandën e Forcës Ajrore dhe Policinë e Komisariatit Rinas për ndarjen e përgjegjësive dhe bashkëpunimin në kuadër të masave parandaluese të sigurisë së aviacionit, përfshirë kontrollin e hyrjeve të paautorizuara në zonat e sigurisë dhe të jo-sigurisë (ana e jashtme e perimetrit rrethues të sigurisë);

-Të përmirësojë sistemin e patrullimit, vëzhgimit, ndriçimit dhe mirëmbajtjes së perimetrit rrethues të sigurisë së aeroportit, përmes vendosjes së masave shtesë, që të shmanget ripërsëritja e incidenteve, apo shkeljeve të sigurisë në “TIA” dhe të njoftojë AAC.

Aviacioni Civil nuk zbatoi masat ndëshkuese që I jep ligji ndaj koncesionarit

Pas grabitjes së të martës në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” edhe një herë tjetër u evidentuan problematikat e rënda të sigurisë. Normalisht që këtu barrën më të rëndë e ka koncesionari privat, por edhe Agjencia e Aviacionit Civil, që ka autoritetin direkt të kontrollit shtetëror mbi këtë koncesion privat ka përgjegjësitë e saj. Pavarësisht se AAC mund ta urdhërojë direct koncesionarin e aeroportit legjislacioni shqiptar I jep në dorë disa instrumenta shtrëngues të cilat duket se kjo agjensi nuk I ka ushtruar.

Kapitulli 7 I “Programit Kombëtar I Kontrollit të Cilësisë së Sigurisë në Aviacionin Civil Të Republikës së Shqipërisë”, është I dedikuar për “Aktivitete e Trajtimit të Mangësisë dhe Masat Korrigjuese”. Në pikën 7.1.3 thuhet: “Në rastet kur konstatohet mangësi në lidhje me përputhjen me Programin Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit, masa duhet të jetë e tillë që të detyrojë entitetin në fjalë që të korrigjojë mangësitë në mënyrë të menjëhershme”. Pra në legjislacion thuhet qartë se AAC duhet që në rast se konstaton shkelje te vendosi masa “detyruese”.

Por nga çka është evidentuar, masa më shtrënguese që ka marrë AAC ndaj koncesionarit ka qenë vetëm një gjobë 500 mijë lekë të reja, çka është qesharake para fitimeve me miliona euro që ka ky koncesionar në vit nga aeroporti. Në pikën 7.2 ku flitet për “Procesi i korigjimit dhe etapat e këtij procesi” thuhet se: “Një proces me etapat e tij specifike ndërtohet në lidhje me aktivitetin ed korrigjimit/riparimit të mangësive të konstatuara si dhe me masat ndëshkimore administrative apo gjyqësore. Ky proces konsiston në 4 etapa të cilat janë: a)Këshillim dhe Bindje; b)Paralajmërim formal; c)Ndëshkim me gjobë; d)Kallëzim penal”

Nga sa “Shqiptarja.com” ka evidentuar AAC ka përdorur vetëm 3 format e para të “Procesit të Korrigjimit”. Me gjithë morinë e shkeljeve të sigurisë AAC ka aplikuar: “Këshillim dhe Bindje”; “Paralajmërim formal”; dhe vetëm një herë “Ndëshkim me gjobë”. Pra “Kallëzimi penal” nuk është përdorur asnjëherë nga AAC, shkeljes së rëndë të sigurisë me grabitjen në 2016 në pistën e aeroportit, apo disa incidente të tjera me sigurinë, ndër to edhe një sekret i “klasifikuar”.