Transmetuar më 30-03-2019, 14:36

Policia e Tiranës thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, e premte, në Tiranë, ku pronari i një pike këmbimi valutor u grabit dhe plagos me levë dhe thikë.

Bëhet me dije se krahas të arrestuarit në kushtet e flagrancës, janë vënë në pranga edhe persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtor të vjedhjes me dhunë të ndodhur në rrugën e “Barikadave”, ku pronarit të një exchange në Tiranë, Agron Shima, i morën një sasi lekësh.

Gjithashtu ështrë zbardhur dhe një tjetër vjedhje me dhunë ku të dyshuarit, rezultojnë të jenë autorë.

Komisariati i Policisë Nr.1 pas ngjarjes së ndodhur paraditen e djeshme në rrugën e “Barrikadave”, ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të përfshirë në vjedhjen me dhunë ndaj Shimës.

Pas një pune intesive hetimore, krahas shtetasit E. F., 35 vjeç të kapur dhe të arrestuar që në momentin e vjedhjes falë ndërhyrjes në kohë të patrullës së Policisë Rrugore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Valuta”, u arrestuan dhe tre bashkëpunëtorët e tjerë.

Ata janë E. B., 37 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje”, B. H., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Xh. D., 23 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje”.

Të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin paraditen e djeshme në rrugën e “Barrikadave” i kanë vjedhur me dhunë shtetasit A. Sh., një shumë lekësh të cilën ky shtetas e posedonte, mendohet rreth 60 mijë dollarë.

Nga veprimet proceduriale të kryera, në bashkëpunim me strukturat e Komisarisatit të Policisë Nr.3 dhe strukturat e tjera policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë rezulton se të ndaluarit janë dhe autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 7 janar 2019, në rrugën “Mine Peza”, ku dy persona të paidentifikuar, i kanë vjedhur me dhunë çantën shtetasit B. Sh., roje pranë një pike këmbimi valutor.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe sendet e përdorura nga këta shtetas gjatë vjedhjeve: Motorr skuter; kokore; tub metalik; thikë dhe doreza plastike; doreza dhe veshje të përdorura nga autorët; tre aparate celular dhe automjet.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al

Grabitja dhe plagosja e pronarit të exchange, si e kapi polici i rrugores të dyshuarin

Grabitja e pronarit të exchange në Tiranë, dalin detaje të tjera