Transmetuar më 13-03-2019, 10:39
Lefter Maliqi pas betimit ne Parlament

Pak minuta pasi u betua si deputet në Parlament, Lefter Maliqi ka mbajtur fjalën e parë si opozitar.

Ai tha se mandati i tij ka të bëjë me kthimin e dinjitetit dhe shton se atë ia kishte borxh Partia Demokratike.

Po ashtu Maliqi deklaroi se ndihet me fat që ka zëvendësuar një kryetar me mandat të dhuruar, ndërsa shtoi se salla e lënë bosh prej demokratëve do mbushet plot.

“Brenda dy muajve rreshti këtej nga opozita do të jetë plot. Mos kujtojnë ata që kanë dalë jashtë se janë më të mirë se ne. Demokratët mos të gënjehen më. Gënjeshtar e këtij lidershipi me mandat të dhuruar. I jam mirënjohës atyre që më kanë mbështetur dhe Zotit që vendosa të plotësoj mandatin e dekriminalizimit. Unë zura vendin e kryetarit me mandat të dhuruar. Rasti im është krejt ndryshe. I them të gjithë demokratëve mos të gënjehen më”, u shpreh Maliqi.

Ai shtoi se revolta popullore do të thotë të ngrihet populli dhe se kriza qëndron te lidershipi.

Sipas tij, nën këtë lidership Partia Demokratike pësoi disfatën më të madhe në dy zgjedhjet e fundit.

Lefter Maliqi u distancua nga kryedemokrati Lulzim Basha qysh në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ndërkohë që deri para pak ditësh mbante postim e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve.

Në seancën e sotme u betua Elda Hoti e LSI, Erdiola Braha e LSI, Edlira Hyseni e LSI dhe Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Ligoraq Karamelo, Alban Zenelin nga radhët e Partisë Demokratike.

Me betimet e sotme shkon në 11 numri i deputetëve të rinj të opozitës.

Kjo pasi javën e kaluar morën mandatin në KQZ dhe më pas u betuan në Kuvend, Edmond Rushiti, i cili zëvendësoi Endrit Braimllarin e LSI.

Po në Tiranë, Floida Kërpaçi u zëvendësua nga kandidati Ylli Shehu.

Ndërkohë në Elbasan, mandatin e Edmond Haxhinastos, KQZ ia kaloi kandidatit pasues Enver Roshi.

Mandati i Vangjel Tavos në Gjirokastër, i kaloi Ediola Brahës.

Ndërkohë qysh në krye të herës Lefter Koka i LSI refuzoi të djegë mandatin, ashtu si Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari e PD. /a.y/noa.al

Parlament, betohen shtatë deputetët e rinj të opozitës