Transmetuar më 11-03-2019, 11:40

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, reagon lidhur me tensionet e paradites së sotme, pas tentativës për të shembur dy banesa.

IKMT sqaron se ky term, është shkurtim i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Nuk ka lidhje dhe nuk ushtron asnjë detyrë dhe përgjegjësi mbi institucione të tjera që mund të veprojnë për një arsye, apo tjetër. IKMT i ka të përcaktuara me ligj veprimet e saj dhe ndërhyrja e ndodhur sot në Tiranë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” nuk është kompetencë e IKMT”, thuhet në deklaratë.

IKMT u lutet mediave dhe gazetarëve të jenë më të kujdesshëm në lajmet e tyre, pasi një neglizhencë e tillë, apo mosnjohje elementare e institucioneve për të cilat shkruhet, vepron veç negativisht mbi marrëdhëniet mes qytetarëve dhe institucioneve.

Ky reagim vjen pas momenteve të tensionit që janë shënuar paraditen e sotme në Tiranë, pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Gjithçka pasi është kundërshtuar shembja e dy banesave. Banorët e revoltuar janë shtrirë në rrugë, duke bllokuar edhe qarkullimin.

Banorët thonë se banesat janë në proces legalizimi dhe se kanë dokumente për këtë. Po ashtu ata shprehen se shtëpinë e kanë marrë me dokumente të rregullta dhe se po ua merr shteti padrejtësisht. /a.y/noa.al

Shkojnë t’iu prishin banesat, banorët shtrihen në rrugë, momente tensioni