Transmetuar më 11-03-2019, 10:33

Momente tensioni janë shënuar paraditen e sotme në Tiranë, pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Gjithçka pasi është kundërshtuar shembja e dy banesave. Banorët e revoltuar janë shtrirë në rrugë, duke bllokuar edhe qarkullimin.

Banorët thonë se banesat janë në proces legalizimi dhe se kanë dokumente për këtë. Po ashtu ata shprehen se shtëpinë e kanë marrë me dokumente të rregullta dhe se po ua merr shteti padrejtësisht.

Banorët deklarojnë se prej 22 vitesh janë në konflikt me një firmë ndërtimi, e cila ka fituar procesin gjyqësor. Por ata thonë se banesat i kanë blerë nga shteti.

Ndër të tjera banorët thonë se punonjësit e bashkisë janë paraqitur për shembje ditën e sotme, teksa procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende.

Mes banorëve të revoltuar është edhe një grua e cila ndodhet në fund të shtatzënisë.

Sakaq pranë banesës është vendosur edhe zjarr, çka ka bërë të nevojshme, ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës.

Ndërkohë dy persona janë shoqëruar në spital, për shkak se janë ndjerë keq dhe të tjerë në polici. /a.y/noa.al