Transmetuar më 10-03-2019, 13:32
Sotiraq Filo

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, iu shkruan dy ministrave duke shprehur kundërshtinë e tij për ndërtimin e TEC-it.

Ai i ka dërguar një letër ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe atij të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.

Në letrën e tij Filo kërkon mos aprovimin e projektit, për të cilin thotë se "është në kundërshtim me vullnetin e Bashkisë së Korçës".

Kundër ndërtimit të TEC-it kanë dalë në protestë edhe banorët e fshatit të Sheqerasit, të cilët thonë se rrezikohet që zona e tyre të kthehet e pabanueshme.

Edhe ish-Kryeministri Sali Berisha u shpreh kundër këtij TEC-i, duke e quajtur përbindësh.

“Miq, fillimi i punimeve të ndërtimit të një termocentrali prej 500 megavatësh në Korçë, projekt fund e krye mafioz shkatërrimtar për mjedisin, shëndetin e qytetarëve, turizmin dhe prodhimin bujqësor të Korçës ka tronditur thellë qytetarët e saj. Kështu, përveç intelektualëve të cilët kanë firmosur një peticion kundër ndërtimit të këtij përbindëshi nga Rama- Peleshi- File, në një sondazh on line kundër ndërtimit të përbindëshit rezulton se janë 92% e korçareve”, denoncoi Berisha.

Ai shton se procesi i ndërtimit është tipik mafioz dhe se përveçse në shkelje të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare gjithçka është bërë fshehtas dhe pa u konsultuar gjerësisht popullata, por se mbahet për qëllime mafioze fshehur edhe investitori, supervizori.

Sipas Berishës, kjo dëshmon se është një aferë e madhe e pistë e “narko-qeverisë Rama”.

Ish-Kryeministri shpreh solidaritet të plotë me intelektualët dhe qytetarët e Korçës, qëndrimit të tyre kundër “përbindëshit” e do denatyrojë Korçën, shëndetin e banorëve të saj, bukuritë e saj. /a.y/noa.al

“Ndal ndërtimit të përbindëshit të Korçës! Alarm për shëndetin, turizmin dhe prodhimet bujqësore”