Transmetuar më 10-03-2019, 10:10

“Ndal ndërtimit të përbindëshit të Korçës!” Kështu shkruan ish-Kryeministri Sali Berisha.

Ai thotë se ka kundërshtim të fortë për ndërtimin e “përbindëshit” që denatyron Korçën.

“Miq, fillimi i punimeve të ndërtimit të një termocentrali prej 500 megavatësh në Korçë, projekt fund e krye mafioz shkatërrimtar për mjedisin, shëndetin e qytetarëve, turizmin dhe prodhimin bujqësor të Korçës ka tronditur thellë qytetarët e saj. Kështu, përveç intelektualëve të cilët kanë firmosur një peticion kundër ndertimit të këtij përbindëshi nga Rama- Peleshi- File, në një sondazh on line kundër ndërtimit të përbindëshit rezulton se janë 92% e korçareve”, denoncon Berisha.

Ai shton se procesi i ndërtimit është tipik mafioz dhe se përveçse në shkelje të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare gjithçka është bërë fshehtas dhe pa u konsultuar gjerësisht popullata, por se mbahet për qëllime mafioze fshehur edhe investitori, supervizori.

Sipas Berishës, kjo dëshmon se është një aferë e madhe e pistë e “narko-qeverisë Rama”.

Ish-Kryeministri shpreh solidaritet të plotë me intelektualët dhe qytetarët e Korçës, qëndrimit të tyre kundër “përbindëshit” e do denatyrojë Korçën, shëndetin e banorëve të saj, bukuritë e saj mahnitëse, prodhimet e saj të mrekullueshme, turizmin dhe mjedisin e saj të pastër. /a.y/noa.al