Transmetuar më 08-02-2019, 12:42
Etilda Gjonaj, Monika Kryemadhi

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, iu përgjigj akuzave të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Në një dalje të sotme për mediat ajo tha se shantazhimet ndaj saj dhe familjes, nuk

do e ndalin që të bëj me përkushtim dhe profesionalizëm detyrën e saj.

Ministrja deklaroi se është sulmuar familjarisht pas arrestimit të një grupi personash që dyshohet se janë përgjegjës për një sërë abuzimesh dhe shkeljesh ligjore me tenderat në Ministrinë e Drejtësisë dhe kjo sipas saj ka bërë që zonja Kryemadhi të lëshohet me shatanzhime kundër saj dhe familjes së saj.

Ajo i cilësoi si të qëllimshme akuzat, duke thënë se kjo gjë vjen pas skandalit të tenderave ku janë të përfshirë anëtarë të partisë së Kryemadhit.

Në këtë drejtim shtoi se, “Jam e vendosur të mbështes deri në fund Prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe thellim ndaj atyre. Sulmi vulgar ndaj meje nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur! Unë u sulmova me qëllimin e vetëm për t’u sulmuar drejtësia. Me qëllim të këtij sulmi që nuk do të ndalet i bëj thirrje që të bëhet hetimi ndaj atyre që kanë bërë shkelje në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. I kërkoj Prokurorisë që të mos intimidohet ndaj atyre që shkelin ligjet”.

Ministrja tha më tej se procedura për abuzimin me tenderat duhen zbardhur deri në fund dhe ata që kanë hedhur firmat gjatë viteve 2016-2017, do të mbajnë përgjegjësi, pasi drejtësia nuk do të jetë selektive.

Akuzat e Kryemadhit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi vijoi sërish sot deklaratat e forta ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Zonja Etilda Gjonaj nuk mund të marrë pozicionin e virgjëreshës, kur ne e dimë pozicionin e saj. Bashkëshorti i Gjonaj u rikthye në punë pas një gjyqi të zgjatur vetëm një javë. Nuk mund të kemi dy standarde në drejtësi! I njëjti standard duhet edhe për burrin e Gjonaj edhe për qytetarët që zvarriten gjyqeve”, deklaroi Kryemadhi.

Kjo deklaratë u bë pas një takimi që pati paraditen e sotme, me ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë.

Ndërkohë ditën e djeshme në parlament, ajo tha për Gjonaj se nuk e ka sulmuar për shkak se është kushërira e të shoqit Ilir Meta.

“Por i bëj me dije se nuk ka asnjë mënyre që mund ta mbrojë ministren Drejtësisë duke shantazhuar punonjësit e saj se ajo e di shumë mirë se korrupsionin e ka brenda në familje, tregoji shqiptareve është pushuar burri i saj nga Tatimet, lidhjet me Elvis Martinaj apo pika të tjera të basteve dhe cila është lodhja e saj me pjesëtarë të qeverisë, apo me avokatët e saj që ka në Kosovë, i them Etilda Gjonaj të jetë e kujdesshme ne telefona apo mesazhet që u çon gjyqtarëve dhe prokurorëve”, deklaroi Kryemadhi. /a.y/noa.al

Kryemadhi sulmon sërish ministren e Drejtësisë: Gjonaj të mos bëj virgjëreshën

Kryemadhi sulmon Gjonaj: Kujdes me mesazhet që u çon gjyqtarëve dhe prokurorëve