Transmetuar më 08-02-2019, 08:50

Tre ish-ministra të drejtësisë, dy të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëri i Partisë Demokratike, do të thirren në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar.

Gjatë javës që vjen do të dëshmojnë ish-ministrat Petrit Vasili, Ylli Manjani dhe Gazment Bardhi.

Tre ish-ministrat po verifikohen lidhur me procedurat abuzive të konstatuara me tenderat e kryera nga ministria e Drejtësisë.

Këtë të martë u arrestuan Juliana Hoxha ish-sekretare e Përgjithshme, Aurel Lamçe, drejtori i Shërbimeve Mbështetëse dhe dy specialistë IT, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.

Prokuroria e Tiranës në funksion të hetimeve të kryera për procedurat e tenderimit në Ministrinë e Drejtësisë për periudhën kohore 2016-2017, ka marrë në hetim 12 persona të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Hetimet janë shtrirë në 5 tendera, konkretisht:

-Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative

-Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale

-Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar

-Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës

-Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit

Shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave.

Hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit. Disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit në një pjesë të madhe nuk janë funksionale.

Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave. /a.y/noa.al

Abuzim me tenderat, në pranga katër zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd