
Nën akuzën e abuzimit me tendera, katër zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë janë vënë në pranga.
Të arrestuarit janë Juliana Hoxha ish-sekretare e Përgjithshme, Aurel Lamçe, drejtori i Shërbimeve Mbështetese dhe dy specialistë IT, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.
Prokuroria e Tiranës në funksion të hetimeve të kryera për procedurat e tenderimit në Ministrinë e Drejtësisë për periudhën kohore 2016-2017, ka marrë në hetim 12 persona të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal".
Hetimet janë shtrirë në 5 tendera, konkretisht:
– Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative
– Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale
– Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar
– Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës
– Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit
Shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave.
Hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit. Disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit në një pjesë të madhe nuk janë funksionale.
Për këtë çështje janë dhënë masa për ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse si dhe specialistët e IT.
Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





