Transmetuar më 23-01-2019, 10:54
Gent Cakaj

Kryeministri Edi Rama, i kaloi kompetencat e tij të ministrit të Jashtëm, zëvendës ministrit Gent Cakaj, i refuzuar nga Presidenti Ilir Meta për tu dekretuar.

Në fjalën e parë të tij si ministër “de fakto”, Cakaj tha se ky transferim autoriteti institucional nga ish-ministri Ditmir Bushati, nëpërmjet Kryeministrit tek ai, nuk do të thotë asnjë ndryshim strategjish në politikën e jashtme, duke shprehur vendosmërinë për të ecur përpara në rrugën e integrimit.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale.

Si edhe kryeministri Rama e ka nënvizuar ne duam të rrisim më tej komunikimin, ndërveprimin me faktorin shqiptar në veçanti. Në kohën që po vjen do jemi gjithmonë e më afër tyre sikurse ata gjithherë më afër nesh. Kjo vëmendje e shtuar në politikën rajonale nuk duhet të lexohet si shenjë e lëshimit në axhendën evropiane”, u shpreh Cakaj.

Ai shtoi se Shqipëria duhet të jetë e organizuar për të realizuar këtë synim në kohë reale sipas kalendarit dhe se pesë muajt e ardhshëm një periudhë pune pa orar.

Lidhur me arsyetimin e Presidentit Ilir Meta për të mos e dekretuar si ministër duke thënë se kandidatura e Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, madje citohej edhe mosha e re 28-vjeçare, Cakaj e pati një qëndrim.

Ai tha se ndihet më i lehtësuar sepse i është komunikuar detyra e lartë e ministrit, me kompetenca të deleguara nga Edi Rama, nën vëzhgimin e tij është një status i garantuar.

“Mosha e re është burim energjie. Fjalët për mua tashmë kanë shkuar përtej meje qoftë për mirë apo për keq, mbetem shpresëplotë që kujt i ka mbërritur në vesh fjala e keqe për mua të mos i dukem aq i keq në paraqitjen time të parë.  Nuk thonë më kot në Tiranë, ‘më mirë syri se nami’. Shpresoj se do të bëhem më i mirë ndërkohë. Uroj që kushdo që ka thënë fjalë të mira për mua këto ditë dhe nuk e ka humbur besimin, kryeministri në veçanti, të mos jetë i zhgënjyer nga paraqitja ime e parë dhe unë ju premtoj se do të jeni gjithnjë e më i kënaqur në punën time në vijim”, deklaroi Cakaj. /a.y/noa.al

Rama i delegon kompetencat Gent Cakaj, e bën "de fakto" ministër të Jashtëm