Transmetuar më 23-01-2019, 10:20
Edi Rama, Gent Cakaj

Ditmir Bushati i kaloi ditën e sotme në një ceremoni të posaçme detyrën e ministrit të Jashtëm, Kryeministrit Edi Rama, i cili pasditen e kësaj të marte, u betua para Presidentit Ilir Meta.

Në fjalën e rastit, Rama tha se, “Kjo është fjala më e shkurtër e imja e të gjitha kohërave”.

“Unë i nënshkruari Edi Rama në funksionin e Kryeministrit dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme ia delegoj kompetencat e mia për përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare, zëvendësministrit Gent Cakaj”, u shpreh Rama.

Pas kësaj ai shtrëngoi duart me zv.ministrin i cili bëhet "de fakto" ministër, duke i kaluar detyrën.

Kryeministri Edi Rama vendosi që ta marrë vetë drejtimin e ministrisë së Jashtme, për shkak se pas shkarkimit të Bushatit, vendi mbeti bosh.

Kjo pasi Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi të propozuarin e Ramës, Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, duke bërë që kreu i qeverisë të mendojë veten e tij për të drejtuar këtë dikaster, por që çdo gjë duket se ka qenë e planifikuar për të kaluar te Cakaj. /a.y/noa.al