Transmetuar më 22-01-2019, 12:05
Lenda narkotike e sekuestruar

Policia del me deklaratë lidhur me operacionin e koduar “Vjosa” gjatë së cilit u zbulua një gomone e ngarkuar me lëndë narkotike.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s kanë parandaluar një tentativë për trafik lënde narkotike, përmes detit drejt Italisë.

Operacioni nisi rreth orës 03:30 të mëngjesit të kësaj të marte, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det.

Policia Kufitare e Vlorës dhe Guardia di Finanza kanë vijuar ndjekjen në det.

Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të policisë lokale Fier e Vlorë kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, me gjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit Vjosë.

Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan.

Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.

Policia sekuestroi një mjet lundrues, dy automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm po vijojnë hetimet intensive për ndalimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe përballjen e tyre me drejtësinë. /a.y/noa.al

Gjendet në grykëderdhjen e Vjosës gomonia e mbushur me drogë