Transmetuar më 22-01-2019, 11:07
Lenda narkotike e sekuestruar

Një gomone e mbushur me lëndë narkotike, është zbuluar gjatë ditës së sotme në grykëderdhjen e Vjosës.

Bëhet fjalë për një gomone rreth dhjetë metra të gjatë, në të cilën janë gjetur rreth 500 kilogramë lëndë narkotike.

Gomonia rezulton është gjetur e braktisur, ndërkohë që mendohet se ishte bërë gati për trafik droge drejt Italisë.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë tentativë trafiku.

Duke folur zyrtarisht mbi zbulimin e drogës, Policia e Shtetit tha se në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s kanë parandaluar një tentativë për trafik lënde narkotike, përmes detit drejt Italisë.

Operacioni nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Policia Kufitare e Vlorës dhe GdF kanë vijuar ndjekjen në det. Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë, kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, megjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit.

Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.

Policia sekuestroi 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm po vijojnë hetimet intensive për ndalimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe përballjen e tyre me drejtësinë.

/a.y/noa.al

OperacioniVjosa22Janar