Përplasje fizike mes policisë dhe studentëve te Ekonomiku, tensionohet situata
Transmetuar më 11-01-2019, 09:00

Momente tensioni dhe përplasje fizike mëngjesin e sotëm mes studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, policisë private dhe asaj të shtetit.

Gjithçka teksa studentët nuk janë lejuar që të futen brenda godinës së fakultetit Ekonomik, për të vijuar ngujimin e tyre.

Të rinjtë arritën të depërtojnë brenda fakultetit, ku pritet të vijojnë ngujimin.

Të rinjtë që kaluan natën brenda godinës, dolën në mëngjes jashtë duke krijuar një barrikadë te dera hyrëse, për të mos lejuar pedagogët e dekanin që të futen brenda.

Por në momentin që kanë tentuar të hyjnë brenda, nuk janë lejuar të futen, deri në momentin e konfrontimit fizik dhe depërtimit brenda. Studentët akuzojnë efektivët e policisë se i kanë qëlluar.

Sakaq edhe një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë, e kaluan natën të ngujuar brenda ambienteve të shkollës.

Por gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes, ka pasur disa momente tensioni mes tyre dhe punonjësve të policisë private.

Gjithçka teksa punonjësit e policisë private kanë larguar karriget e tavolinat, të cilat studentët i kishin vendosur si barrikadë në mënyrë që të mos lejohet hyrja nëpër klasa.

Pas heqjes së bangave, studentët kanë vijuar të qëndrojnë të ngujuar, ku dhe kanë kaluar natën.

Po ashtu edhe një grup studentësh të Fakultetit Ekonomik, e kanë kaluar natën të ngujuar. /a.y/noa.al

Studentët vijojnë të ngujuar, policia largon “barrikadën” me karrige e tavolina