Rama: Përbuzje për politikën që fshihet pas! Nisi sot puna për fondet për studentët
Transmetuar më 10-01-2019, 12:36

Kryeministri Edi Rama reagon sërish lidhur me protestën e studentëve të cilët gjatë ditës së sotme kanë bojkotuar mësimin, duke u ngujuar brenda fakulteteve.

Rama shpreh përbuzje për politikën, për të cilën thotë se fshihet pas këtij qëndrimi.

“U kërkoj ndjesë e mirëkuptim studentëve e prindërve,që përmes mijëra mesazhesh ankohen për pengimin e dhunshëm të mësimit. Përbuzje për politikën që fshihet pas këtij agresioni të papranueshëm ndaj Universitetit. Kjo maskaradë s’do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët”, shkruan Rama.

Ai thotë se Universitetet kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit të gjitha listat e studentëve që do të përfitojnë mbështetjen financiare, sipas vendimit të Qeverisë.

Po ashtu bën me dije se ministria e Financave ka nisur sot punën për të realizuar alokimin e fondeve në çdo universitet, student për student.

Kryeministri thotë se nesër është gati për prezantim publik portali i Programit të ri Kombëtar të Punësimit në administratë, të studentëve më të mirë.

Sipas Ramës, ky program është një nga risitë e reflektimit mbi protestën, i cili çoi shumë përtej 8 kërkesave.

“Qentë le të lehin, ne do shkojmë së bashku përpara”, deklaron në mbyllje kreu i qeverisë. /a.y/noa.al

Studentët vijojnë bojkotin, ngujohen brenda fakulteteve