Studentët vijojnë bojkotin, ngujohen brenda fakulteteve
Transmetuar më 10-01-2019, 10:11

Studentët vijojnë bojkotimin e mësimit, duke u ngujuar brenda fakulteteve të tyre. Ngujimi është bërë gjatë ditës së sotme nga një grup studentësh të Universitetit të Drejtësisë.

E njëjta rrugë është ndjekur edhe nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe fakultete të tjera. Po ashtu ata kanë grumbulluar karriget dhe tavolinat, në mënyrë që të mos depërtohet drejt tyre.

Të rinjtë thonë se kanë marrë informacion se do ndërhyjë policia, duke kërkuar që të lejohen në protestën e tyre.

Ndërkohë mes studentëve dhe rojeve të sigurisë, ka pasur momente tensioni, lidhur me bllokimin e fakulteteve.

Ndër kërkesat e studentëve është shtyrja e sezonit dhe procesit mësimor deri në dhënien e një përgjigje përfundimtare për kërkesat e tyre.

Po ashtu kërkohet shtyrja e afatit të pagimit të tarifave dhe shtyrja e procedurave për marrjen e bursave deri në dhënien e një përgjigje përfundimtare.

Ndër të tjera kërkohet që të mos penalizohen studentët deri në përfundimin e bojkotit.

Sakaq ditën e djeshme Policia e Shtetit doli me qëndrim lidhur me protestën e studentëve, duke thënë se persona të caktuar kanë tentuar të pengojnë në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme veprimtarinë normale mësimore në disa universitete të vendit, duke penguar dhe mohuar të drejtën e studentëve për të studiuar.

“Në të njëjtën kohë, këta persona që kanë tentuar të cenojnë procesin mësimor, kanë konsumuar kundërvajtje administrative dhe vepra penale për të cilat do të mbajnë përgjegjësitë përkatëse”, deklarohet më tej.

Policia e Shtetit u bën thirrje studentëve, që tentojnë të përfshihen, pa u thelluar, në veprimtari të paligjshme.

Kërkohet që studentët të veprojnë me maturi e përgjegjësi dhe të evitojnë ngarkesën me barrë shkeljesh ligjore dhe rekordesh policore që në hapat e parë të karrierës profesionale, barrë e cila mund t’u kushtojë shumë në të ardhmen e tyre profesionale. /a.y/noa.al