Transmetuar më 09-01-2019, 20:48

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka thirrur në zyrën e tij, kryeministrin Edi Rama, duke e njoftuar për vendimin që të gjithë anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar të fillojnë punën e tyre, duke përjashtuar atë të Jashtëm, Gent Cakaj, pasi ai sërish dhe sot nuk e ka kaluar vetingun.

Burime nga kryeministria bënë të ditur për noa.al, se z.Meta thirri në Presidencë Edi Ramën dhe patën një takim disaminutësh.

Z.Rama u njoh me vendimin e Metës për të dekretuar edhe katër ministrat e mbetur, duke përfshirë dhe atë të Arsimit, Besa Shahini, shqiptare e Kosovës.

Shahini, ka kaluar vetingun që Presidenca e aplikon detyrimisht për çdo ministër që propozohet.

Por ndërsa për Shahinin, çdo gjë ka qenë në rregull, për Gent Cakajn, edhe sot nuk është vendosur dekretimi i tij si MPJ, edhe pse shkresat nga Presidenca në drejtim të institucioneve në Kosovë ishin dërguar në mënyrë të njëkohshme si për Cakaj dhe për Shahinin.

Nuk dihet nëse Meta ka vendosur të mos dekretojë përfundimisht as shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe as emërimin e Gent Cakajt si ministër i ri i Jashtëm, por është e qartë se kanë mbetur vetëm disa orë nga skadimi i afatit kushtetues.

Nesër priten zhvillime të reja lidhur me rastin “Cakaj” dhe gjasat janë që Rama të shpallë tërheqjen nga propozimet e tij. /noa.al/

Presidenti dekreton ministra të tjerë, ende “mbahen peng” Bushati dhe ministria e Jashtme