Transmetuar më 17-12-2018, 10:36

Studentët kanë dalë në ditën e 13-të të protestës së tyre, për tu mbledhur para Kryeministrisë.

Por në marshimin-protestë, të rinjtë kanë bllokuar dhe qarkullimin, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në kryeqytet.

Të rinjtë kanë bllokuar qarkullimin te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugën që nga Fakulteti i Mjekësisë, ku bllokimi ka zgjatur për disa minuta, për të vijuar më tej drejt Kryeministrisë.

Ndryshe nga ditët e fundit, ditën e sotme, shihet një prani e madhe e të rinjve, ashtu sikundër ishte lajmëruar protestë masive.

Studentët kanë paralajmëruar protestë mbarëkombëtare, ndërsa në bulevard kanë njoftuar se do të jenë 40 mijë protestues.

Sakaq nga rrethet janë nisur studentë me autobusë, me synim plotësimin e tetë kërkesave të tyre.

Ata thonë se protesta nuk është politike dhe nuk do të pranohet politikë në të, por kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë dy ditëve të fundit i ka bërë thirrje gjithë anëtarësisë që ti bashkohen protestës, si qytetarë për t’iu dalë në krahë të rinjve. /a.y/noa.al

Studentët paralajmërojnë protestë masive para Kryeministrisë, pritet të mblidhen 40 mijë