Transmetuar më 17-12-2018, 08:23

Studentët hyjnë sot në ditën e 13-të të protestës së tyre, duke vijuar bojkotin e mësimit.

Ata kanë paralajmëruar se nga ora 09.00 deri në 11.00 do të mblidhen në fakultetet e tyre për të kulmuar para Kryeministrisë.

Studentët kanë paralajmëruar protestë mbarëkombëtare, ndërsa në bulevard kanë njoftuar se do të jenë 40 mijë protestues.

Ndërsa për gjithë ata që nuk kanë mundësi të vijnë në Tiranë, janë ftuar të protestojnë në fakultetet e tyre.

Sakaq nga rrethet janë nisur studentë me autobusë, me synim plotësimin e tetë kërkesave të tyre.

Ata thonë se protesta nuk është politike dhe nuk do të pranohet politikë në të, por kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë dy ditëve të fundit i ka bërë thirrje gjithë anëtarësisë që ti bashkohen protestës, si qytetarë.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al