Transmetuar më 15-12-2018, 12:06

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se demokratët e cilësojnë politikën një mision publik, në shërbim të njerëzve dhe vendit.

Ndaj tha ai, do të garantohet që kandidatët e Partisë Demokratike për poste publike të kenë integritetin dhe aftësinë për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit.

“Reforma tjetër që ne kemi ndërmarrë është pikërisht ajo e filtrimit të kandidatëve që duan të konkurrojnë për poste publike. Ne po ndërtojmë mekanizmin e vlerësimit paraprak për të gjithë ata që duan të konkurojnë për kandidatë për poste publike”, u shpreh Basha.

Në vijim tha se ky vlerësim paraprak do të garantojë që në zgjedhjet primare në parti të marrin pjesë vetëm ata që kanë formimin e duhur demokratik, kanë integritet moral dhe aftësi për t’i shërbyer interesit publik.

Në vijim shtoi se për këtë po merret praktika më e mirë britanike, e cila po zbatohet me mbështetjen dhe ekspertizën e ekspertëve të Partisë Konservatore britanike.

“Ndihmë të vyer po japin në këtë proces tashmë prej vitesh kristiandemokratët gjermanë dhe së shpejti edhe Instituti Republikan Amerikan. Partia jonë do të tërheqë të gjithë ata që përqafojnë vlerat dhe misionin e saj, por do t’i ofrojë vendit njerëzit me përgatitjen dhe integritetin më të lartë”, deklaroi ndër të tjera Lulzim Basha. /a.y/noa.al

Këshilli Kombëtar i PD, Basha: Duhet një politikë ndryshe! Krimi është ngritur në sistem