Transmetuar më 15-12-2018, 11:42

Partia Demokratike ka mbledhur ditën e sotme Kuvendin Kombëtar, ku do të zgjidhen dhe anëtarët.

Kryedemokrati Lulzim Basha, e nisi fjalën e rastit duke falenderuar qytetarët që protestojnë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, qytetarët që protestojnë për mbrojtjen e protestës së tyre dhe studentët që kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

“Këto kanë qenë ditët kur në skenën e vendit ka dalë rinia studentore e cila ka flakur plogështinë e mosveprimit dhe kërkon që gjërat të ndryshojnë. Rinia studentore na vetëdijësoi se problemet më të mëdha mund të zgjidhen vetëm nga rinia dhe rinia duket se do të jetë në lartësinë e kohës. Duhet një politikë ndryshe”, u shpreh Basha.

Ai tha se prej së paku një shekulli politika ka qenë shpesh e keqja mes shqiptarëve, më shpesh pengesë se shtytje, ka qenë më shumë ndarje se bashkim dhe se sot lind nevoja për një politikë perëndimore, në shërbim të njerëzve dhe kombit, për veprime të vërteta dhe jo për fjalë në erë.

Për kryedemokratin duhet një brez i ri politikë dhe një elitë e re e vendit.

“Sot ju ftoj në ndryshimin e vendit me të vetme thirrje, liri, demokraci europianizëm. Që nga koha e thirrjeve ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ ka kaluar një jetë politike, por aspirata e shprehur në ato vite ka mbetur ende e pamundur. Vitet e fundit vendi është zhytur në diktaturë dhe është izoluar nga bota e politikës, ekonomisë, kulturës”, deklaroi Basha.

Sipas tij, është e vërtetë që korrupsioni nuk lindi këto 5 vitet e fundit, as krimi dhe biznesmenët që kanë tentuar të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë, por me rilindjen janë ngritur në sistem.

Lideri i demokratëve tha se sot politika, biznesi dhe media dhe krimi janë shkrirë në një, një grusht njerëzish , ku ky grusht synon të kontrollojë të gjitha pasuritë e vendit dhe se e gjithë infrastruktura e vendit po i jepet një grupi njerëzish.

Basha tha se miliarda euro borxh ka marrë Partia Socialiste që kur ka ardhur në pushtet dhe që kanë përfunduar në xhepat e politikanëve dhe njerëzve të tyre.

Ai deklaroi se Shqipëria ka detyrën dhe do e bëjë Shqipërinë si gjithë Europa.

Ashtu sikundër ishte paralajmëruar edhe më herët, jashtë Këshillit Kombëtar të PD, janë lënë jashtë figura të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Ndër ta, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, Ridvan Bode apo Majlinda Bregu. /a.y/noa.al

Këshilli Kombëtar i PD-së, zbardhen emrat e kandidatëve