Transmetuar më 11-12-2018, 12:19

Policia del me deklaratë lidhur me sekuestrimin e pasurive të Elton Kilës, i njohur ndryshe si Kastriot Kila.

Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si dhe gjurmimit, evidentimit dhe sekuestrimit të pasurisë që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Departamenti i Policisë Kriminale dispononte informacione se shtetasi Elton Kila alias Kastriot Kila, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar, ka qenë përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Itali si dhe në veprimtarinë kriminale të simulimit të krimit (krijimin e provave të rreme), mashtrime në dëm të kompanive të sigurimit dhe përvetësim të kundërligjshëm të autoveturave, në Pescara, Itali.

Pas grumbullimit, administrimit, analizimit dhe referimit të materialeve të para nga strukturat e Drejtorisë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Elbasan, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal Nr. 318 viti 2018 për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Elton Kila alias Kastriot Kila.

Për këtë procedim penal është bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacion i vazhdueshëm me Misionin Ndërlidhës Policisë Italiane (INTERFORCA).

Si rezultat i komunikimeve të vazhdueshme me Misionin Ndërlidhës Policisë Italiane, shtetasi Elton Kila (alias Kastriot Kile) u shpall në kërkim nga ZQK Interpol Tirana, pasi Prokuroria e Pescarës/Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar Nr.SPIE 522/2011 datë 11.09.2018 për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale”, “Trafikim i narkotikëve”, “Mashtrimi” dhe “Kallëzim i rremë” parashikuar nga nenet 110, 416, 367, 642 të Kodit Penal Italian dhe neni 73 i Ligjit kundër Drogave.

Më datë 17 tetor, nga Policia e Elbasanit është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Elton Kila me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Bazuar në aktivitetin kriminal të shtetasit Elton Kila (alias Kastriot Kile), nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore Qendrore në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan u kryen hetime intensive në lidhje me:

Transaksionet financiare të dyshimta, kryer në bankat e nivelit të dytë, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme si dhe biznese në emër të tij dhe lidhjeve të tij familjare, të cilat dyshoheshin se burojnë nga aktiviteti kriminal, kryer në Itali.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në terren, u siguruan prova të pa kontestueshme dhe Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, vendosi sekuestro preventive për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasit Elton Kila (alias Kastriot Kile), dhe familjarëve të tyre.

Më datën 11.12.2018 oficerët e Njësisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore Qëndrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan Nr. 913 date 07.12.2018, për sekuestro preventive për pasuritë:

-Një ndërtesë 5-katëshe, me sipërfaqe banimi 1502 m2, në Elbasan

-Njësi shërbimi me sipërfaqe 400 m2, në Elbasan

-Një sipërfaqe toke prej 5200 m², në Elbasan.

-Sekuestro 100% të kuotave të zotëruara nga shtetasja I.K., në shoqërinë tregtare “KILA TRANS” sh.p.k.

Vlera e blerjes së këtyre pasurive nga shtetasi Elton Kila alias Kastriot Kila, të deklaruara në deklaratat noteriale të përpiluara tek noteri, kap shumën prej 70. 819.000 lekë të reja. Vlera aktuale e tregut e këtyre pasurive është shumë herë më e madhe.

Gjithashtu po këtij personi nga njësia hetimore vendore në DVP Elbasan në muajin Tetor 2018 në bashkëpunim me Prokurorinë i janë sekuestruar edhe 39 makina luksoze dhe 6 motomjete në 3 pika shitje të mjeteve të dyshuara se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Elton Kila është drejtuesi i një grupi kriminal të skeduar nga “Forca e Ligjit”.

Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të luajtshme apo të paluajtshme si dhe llogari bankare të dyshuara me prejardhje kriminale. /a.y/noa.al

Të ardhura nga krimi, sekuestrohen pasuritë e Kastriot Kilës

I dogjën servisin me makina brenda, kush është pronari i arrestuar pak ditë më parë

Me dy emra, kapet i shpalluri në kërkim ndërkombëtar