Mesazh i ndjerë për një ikje të parakohshme
Transmetuar më 07-12-2018, 10:50

Nga Anila Hoxha

Mikja ime Sonila

Luftove për jetën prej muajsh me aq vitalitet dhe forcë.

Por vdekja t’u qep këmba-këmbës, të donte ty. Fitoi, të rrëmbeu. Të shihja tek shuheshe, por asgjë s’kisha në dorë.

E shikon – të thashë – po bëhesh më mirë. Je më mirë se dje, je më mirë se pardje.

Mendoja se nga fjala ime do merrje energji, do çoheshe në këmbë, do vazhdoje përpara, aty ku e le, atë dite kur u diagnostikove me tumor.

Të thosha " sa mire qe je sot" por gënjeja veten, jo ty. Sepse as që doja ta pranoja se ti po ikje. Nuk dua ta pranoj që ike. Ku shkoi gjithë ajo energji pozitive që përcillje, gjithë ajo forcë?

Mikja ime e rrallë, si të të them lamtumirë, nuk kam fuqi.

Prej kohesh ma kishe lënë bosh vendin ku ne të dyja pinim kafe në gjykatë, përpara se secila nga ne të dyja të fillonte punën.

Prej kohësh ma kishe lënë bosh vendin për kafen e pasditeve, kur mbyllnim ditën dhe rrëfenim ç’kishim humbur e ç’kishim fituar.

Vendi i takimeve tona u bënë spitalet. Edhe aty më e fortë ishe ti, se sa unë që sa herë largohesha shpërtheja në lot.

Nuk doje që të të shikonin ndryshe kolegët, ndaj edhe që ditën e parë që u njoftove për sëmundjen u shkëpute menjëherë nga gazetaria, të cilën e doje me shpirt.

Sa histori të tuat kam lexuar në gazetë edhe pse para se t’i botoje, m’i kishe treguar, me atë pasionin tënd prej njeriu të mrekullueshëm.

Dëshiroje gjithmonë t’i ndihmoje njerëzit. T’u gjendeshe pranë. E kishe ruajtur grimën e mirësisë me të cilën na krijon Zoti.

Sonila Mesareja me ikjen tënde, humba një pjese të shpirtit.

Lexoni dhe: Sëmundja e rëndë i merr jetën gazetares shqiptare

Image may contain: 2 people, people standing and flower

NOA Sondazh