Transmetuar më 06-12-2018, 13:06

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka dalë me deklaratë lidhur me protestën e studentëve të universiteteve publike kundër tarifave të larta.

Në deklaratën e ministres thuhet se, “Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat, nuk do të ketë kosto shtesë për studentët mbetës”.

Ky qëndrim i saj u dha pas takimit me dekanët dhe rektorët e universiteteve.

Sa i takon kërkesës për përgjysmimin e tarifës së studimit, ajo tha se është në dorë të universiteteve.

“Qeveria nuk bën as ulje e as ngritje të tarifave të studimit. Janë universitetet që i përcaktojnë ndaj jeni të lutur por patjetër dhe të monitoruar nga MAS që ju të shteroni me studentëve dhe pedagogët një debat që sa mundësi ka të realizohet. Sot buxheti i shtetit mundëson mbi 75 të kostos reale të studimit”, u shpreh Nikolla.

Studentët e Universiteteve publike në Tiranë, prej orësh vijojnë protestën para ministrisë së Arsimit.

Madje në mënyrë simbolike ata kanë nxjerrë edhe kartonë të kuq, ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla, kundër tarifave të larta.

Studentëve të Tiranës iu janë bashkuar edhe ata të rretheve, të Korçës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës, duke u bërë bashkë në kërkesat e tyre dhe duke bojkotuar mësimin.

Të rinjtë kërkojnë përgjysmim të tarifave vjetore si dhe heqjen e tarifave shtesë prej 670 lekësh për kredit për provimet e mbartura.

Po ashtu studentët i kanë lënë afat ministrisë së Arsimit, deri në orën 16.00 të ditës së sotme, që t’iu kthejë përgjigje. /a.y/noa.al

Ministria e Arsimit në “shtetrrethim” nga studentët: Duam dije, jo reklama qeverie