Transmetuar më 06-12-2018, 11:39

Me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Ne nuk jemi bankomat”, “Jam student i revoltuar, prej sistemit varfëruar”, “Duam të drejta, duam dije, jo reklama qeverie”, studentët e Universiteteve publike në Tiranë, prej orësh vijojnë protestën para ministrisë së Arsimit, godinë e cila është rrethuar nga mijëra prej tyre.

Madje në mënyrë simbolike ata kanë nxjerrë edhe kartonë të kuq, ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla, kundër tarifave të larta.

Studentëve të Tiranës iu janë bashkuar edhe ata të rretheve, të Korçës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës, duke u bërë bashkë në kërkesat e tyre.

Të rinjtë kërkojnë përgjysmim të tarifave vjetore si dhe heqjen e tarifave shtesë prej 670 lekësh për kredit për provimet e mbartura.

Po ashtu studentët i kanë lënë afat ministrisë së Arsimit, deri në orën 16.00 të ditës së sotme, që t’iu kthejë përgjigje.

Kërkesat e studentëve

Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:

Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

-Përmirësimi i kushteve të konvikteve.

-Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë).

Bazuar në vendimin e qeverisë, studentët detyrohen të paguajnë për çdo provim të mbartur, në bazë të krediteve të tyre. /a.y/noa.al