Transmetuar më 26-11-2018, 12:10

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me gjuhën e ashpër ndaj Serbisë, në konferencën e përbashkët me homologun Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë me atë të Kosovës.

Rama deklaroi se tarifa 100% e vendosur nga qeveria e Kosovës ndaj Serbisë, nuk është një veprim ekonomik, por një reagim i qartë politik dhe një ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë dhe për të kuptuar se rruga e së ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve dhe me reagime negative sa herë që Kosova kërkon të bëhet pjesë e institucioneve ndërkombëtare.

Sipas tij, përpjekja e radhës në Interpol për të lënë Kosovën jashtë, është e pajustifikueshme pasi synohet hyrja në një organ për të luftuar krimin.

“Ne do të ecim të vendosur në rrugën e bashkimit të shqiptarëve nën ombrellën e Bashkimit Europian dhe askush nuk mund të na detyrojë të gëlltisim njëri pas tjetrit akte që bien ndesh të drejtat tona. Ne duam partneritet me Serbinë, por Serbia nuk mund të ketë tjetër fytyrë me Shqipërinë dhe tjetër me Kosovën. Ndërkohë që Serbia refuzon çdo produkt të Kosovës, fut në Kosovë produkte me etiketën Kosova Metohi. Nëse Kosova ka ndërtuar këtu në këtë vend shembullin më të shkëlqyer të respektit dhe nëse serbët në Kosovë gëzojnë liri dhe të drejta si në gjithë rajonin, kjo nuk mund të jetë diçka që të merret si e dhënë ashtu sikundër Serbia nuk mund të bëjë viktimën para Kosovës”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se është koha që gjërat të shikohen drejt në sy dhe të marrin fund dhe të mos tregohen shumë përralla me miqtë europian dhe të mos kërkohen më shumë se ç’mbajnë gjunjët.

Rama deklaroi se Serbinë e përkëdhelin në një formë që është e papranueshme.

Kryeministri tha se tarifa 100% është irracionale në kushte nacionaliteti, por në kushtet e një sjellje anormale të Serbisë ndaj Kosovës është një sjellje normale dhe se Shqipëria e mbështet 100% qeverinë e Kosovës.

“Për ne Kosova është e pavarur dhe është e padiskutueshme, nëse ata duan ta diskutojnë le ta diskutojnë por Shqipëria dhe Kosova do të ecin krahë për krahë si shqiponjë dy krenare”, tha ndër të tjera Edi Rama.

Duke përmendur edhe një informatë që ia ka thënë ministri i Jashtëm, ai deklaroi se “Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd deri në 02.00 të natës me anë të të dërguarve të Europës në anglisht i kërkonin të hiqej fjala Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët, ku edhe Kosova ishte e pranishme”.

Ai shtoi se Shqipëria dhe Kosova do të shkojnë drejt bashkimit të doganave, dhe se qysh nga 1 janari Kosova do të ketë pikën e vetë në Durrës.

Heqja e barrierave tarifore dhe jo tarifore është konkretizuar dhe brenda gjashtë mujorit të ardhshëm nuk do ketë më barriera tarifore dhe jo tarifore, tha Rama, duke shtuar se 42 certifikata dhe dokumente janë vetëm në fushën e shkëmbimeve tregtare që lidhen me gjënë e gjallë dhe produktet bujqësore, por që do të hiqen.

Rama deklaroi se do të bëhet njohja e patentave dhe në pikat e kontrollit kufitar të vlejë vetëm dokumenti i njërës palë, duke nënvizuar se e ardhmja kërkon që të mos ketë barriera tarifore dhe jo tarifore.

Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se pika kufitare e Morinës ku krijohen radhë të gjata dhe pengojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, do të kthehet në një pikë kontrolli të përbashkët ku dy policitë dhe doganat do të funksionojnë në një pikë dhe do të krijohet mundësia e lëvizjes së lirë.

“Ne jemi gjallë nuk kemi vdekur akoma dhe në këtë aspekt do të çojmë përpara projektet për shqiptarët. Ministritë e Jashtme do të funksionojnë si një grup i vetëm, për vizionin strategjik 2015-2025-2035”, deklaroi Edi Rama.

Marrëveshjet që nënshkruan dy qeveritë në Pejë:

– Nënshkrimi i marrëveshjeve për heqjen e çmimeve për shërbimin roaming.

– Nënshkrimi i protokollit për kryerjen e veprimeve të përbashkëta të kontrollit do​ganor në pikën kufitare Morinë-Vernicë.

– Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhënieve me institucionet financiare ndërkombëtare.

-Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë për Pronësinë Industriale të Kosovës dhe Drejtorisë së Pronësisë Industriale të Shqipërisë.

– Nënshkrimi i protokollit mes Ministrive të Bujqësisë për njohjen dypalëshe dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare që shoqërojnë kafshët e gjalla dhe produktet me origjine shtazore.

– Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë.

– Marrëveshje mes qeverive për nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës.

– Marrëveshje për njohjen reciproke të patentave për drejtuesit e mjeteve.

– Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë. /a.y/noa.al

Rama lëshon gjuhën: “What the f..k”! Kosova s’është gjysmë shtet