Transmetuar më 23-11-2018, 09:10

Policia greke del me deklaratë lidhur me përplasjen me armë të ndodhur në Visani të Janinës, pranë kufirit me Shqipërinë, ku mbeti i vrarë një shqiptar.

Bëhet me dije se pasditen e djeshme, e enjte, pas një informacioni të marrë në rrugë operative për trafik të lëndëve narkotike përmes kufirit greko-shqiptar në zonën e Pogonit, Janinë, efektivë të seksionit të luftës kundër drogës të Janinës, duke lëvizur me këmbë në zonën e Visani, u qëlluan me armë zjarri kallashnikov.

Në deklaratë thuhet se efektivët iu përgjigjën zjarrit dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vdekur një shtetas shqiptar 39 vjeç dhe u plagos një efektiv policie.

“Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan gjashtë çanta me 13 pako që përmbanin 166 kilogramë e 200 gramë marijuanë dhe dy armë zjarri kallashnikov”, thuhet në deklaratë.

Në vijim bëhet me dije se efektivi i policisë i plagosur ndodhet në spitalin “Haxhikosta” në Janinë.

Aktualisht policia greke vijon punën për kapjen e personave të tjerë.

Paraprakisht thuhet se policia greke po kontrollonte për një grup trafikantësh në momentin që u hap zjarr ndaj tyre. Por gjatë kundërpërgjigjesh mbeti i vrarë shqiptari.

Dyshohet se janë edhe katër shqiptarë të tjerë të përfshirë, ndaj të cilëve vijon ndjekja. /a.y/noa.al

Vritet një shqiptar në kufirin grek, u përplas me armë me policinë helene