Transmetuar më 19-11-2018, 11:11
Ani Dyrmishi dhe zona ku u gjet objekti i dyshimte

Alarmi se poshtë makinës së drejtorit të Hekurudhës Shqiptare, Ani Dyrmishi, ishte vendosur eksploziv, ka rezultuar i rremë.

Gjithçka pasi nga veprimet e kryera nga efektivët e policisë dhe shërbimet speciale, shishja e zezë me celular e vendosur poshtë makinës së Dyrmishit, nuk ka rezultuar me lëndë plasëse.

Nga ana e policisë dyshohet se gjithçka është bërë si formë paralajmërimi dhe kërcënimi ndaj Dyrmishit, për ta frikësuar, teksa hetimet mbi autorin/ët e ngjarjes, janë në vijim.

Ngjarja u zbulua në orët e para të kësaj të hëne, ku poshtë makinës së tij të parkuar në lagjen nr.4 të Durrësit, u gjet një shishe e zezë dhe pranë saj një telefon celular.

Brenda shishes u dyshua se kishte lëndë plasëse. Objekti i dyshimtë ishte vendosur në pjesën e poshtme të makinës “Volkswagen Passat”, poshtë sedijes së shoferit dhe u mendua se ishte me telekomandë.

Mësohet se ditën e sotme ai do të nisej bashkë me një delegacion në Greqi, për një takim me autoritetet e hekurudhës greke.

Ndërkohë më herët Ani Durmishi ka mbajtur detyrën e drejtorit të zyrës së Pasurive të Paluajtshme, siç njihet ndryshe Hipoteka Durrës.

Njoftimi i policisë

Sot rreth orës 08:30, në lagjen nr.4, në një parking mjetesh u konstatua një pako, e dyshuar si lëndë plasëse. Në vendin ku u gjet pako, ishte parkuar mjeti tip ‘Pasat’ me targa AA 070 TP, në përdorim nga shtetasi A.D., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave. Në momentin që ka lëvizur mjetin, ai nuk e ka konstatuar pakon e dyshimtë.

Nga konkluzionet e para të ekspertëve anti-eksploziv rezulton se pakos së dyshuar i mungonin disa elementë për të qenë lëndë plasëse.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”./a.y/noa.al

I vendosën eksploziv me telekomandë poshtë makinë, çfarë tha drejtori i Hekurudhës

Durrës, i vihet eksploziv makinës së drejtorit të Hekurudhave