Transmetuar më 14-11-2018, 13:33
Ambasadorja Susanne Schütz

Pas deklaratës së ambasadës amerikane, pas dënimit të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, vjen edhe reagimi i ambasadores gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ajo përshëndet vendimin e marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

“E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri. Është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës”, shkruan Schütz.

Ajo shton se përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Më herët ambasada amerikane deklaroi se dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor.

“Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën?”, thuhet në qëndrimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjykata e Krimeve të Rënda dënuan me 14 vite burg Emiljano Shullazin.

Ndërkohë krahu i djathtë i tij, Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg, Endri Qyqa me 10 dhe Blerim Shullazi me 9 vite.

Shullazi u shpall faktor për gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe Jani Zako, por shpëtoi nga akuzat për shkatërrim të pronës me eksploziv për dy raste dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule.

Gjykata vendosi që të pandehurit të mos përfitojnë nga e drejta e lirimit me kusht, dhe dënimin do e kryejnë në një burg jo të sigurisë së lartë.

Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela akuzohen për disa vepra të rënda penale, të kryera në periudhën 2014-2016. /a.y/noa.al

Ambasada e SHBA e quan “fitore” dënimin e Shullazit: Kush e ka radhën?

Krimet e Rënda japin vendimin për Emiljano Shullazin dhe bandën e tij