Transmetuar më 14-11-2018, 13:12
Emiljano Shullazi dhe pjesetaret e grupit

Ambasada amerikane në Tiranë, del me deklaratë pas dënimit të djeshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Kjo ambasadë thotë se dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor.

“Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën?”, thuhet në qëndrimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kujtojmë se Krimet e Rënda dënuan me 14 vite burg Emiljano Shullazin.

Ndërkohë krahu i djathtë i tij, Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg, Endri Qyqa me 10 dhe Blerim Shullazi me 9 vite.

Shullazi u shpall faktor për gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe Jani Zako, por shpëtoi nga akuzat për shkatërrim të pronës me eksploziv për dy raste dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule.

Gjykata vendosi që të pandehurit të mos përfitojnë nga e drejta e lirimit me kusht, dhe dënimin do e kryejnë në një burg jo të sigurisë së lartë.

Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela akuzohen për disa vepra të rënda penale, të kryera në periudhën 2014-2016. /a.y/noa.al

Krimet e Rënda japin vendimin për Emiljano Shullazin dhe bandën e tij