Transmetuar më 13-11-2018, 18:17

Partia Demokratike ka komentuar vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda e cila la në burg Emiljano Shullazin dhe bandën e tij.

Në një deklaratë shpërndarë për mediat thuhet se ky është rezultat i denoncimit të Partisë Demokratike.

Po ashtu, sipas selisë blu, nëse ata nuk do të kishin pasur mbështetjen e qeverisë, do të kishin marrë dënim më të rëndë.

“Sot gjykata dënoi bandën e Emiljano Shullazit, që u arrestua vetëm falë denoncimit dhe betejës së pandërprerë të PD, si  dhe mbeshtetjes së SHBA.

Nëse Emiljano Shullazi dhe banda e tij, nuk do të kishin mbështetjen e Qeverisë së Edi Ramës, dënimi i bandës do të ishte sot shumë më i rëndë. Ata nuk do të ishin dënuar vetëm për gjobëvënie, por edhe për krime të tjera të rënda, që janë lënë pa zbuluar, pasi policia dhe drejtësia kanë mbyllur sytë”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Më tej theksohet se “prapa hekurave duhet të jenë edhe anëtari me pushtet politik i bandës, deputeti i PS Jurgis Çyrbja.”.

Për këtë, PD nënvison se qytetarët presin sot përgjigje nga prokuroria: kur do të arrestohet dhe të vihet përpara drejtësisë Jurgis Çyrbja, si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit?

“Po Edi Rama dhe Saimir Tahiri a do të hetohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë për mbështetjen shtetërore që i kanë dhënë bandës së Emiljano Shullazit?

Drejtësia do të bëhet e plotë!

Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Jurgis Çyrbja, shumë shpejt do të kenë fatin e Shullazit”, përfundon reagimi i PD-së. /k.k/noa.al/

Krimet e Rënda japin vendimin për Emiljano Shullazin dhe bandën e tij

Burg për Shullazin, avokati: Vendimi i padrejtë, do ta ankimojmë