Transmetuar më 06-11-2018, 11:35
Hektor Xheçuka, Emiljano Boçi

I arrestuari për vrasjen e Emiljano Boçit, në janar të vitit që lamë pas në Tiranë, është marrë në pyetje nga policia. Ai ka mohuar të ketë gisht në vrasje, duke kërkuar avokat.

“Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen, më keni arrestuar kot”, u shpreh 30-vjeçari, i cili u arrestua në pikën kufitare të Kakavijës, teksa po kthehej nga Greqia drejt Shqipërisë.

Ai nuk ka pranuar të flasë më tepër, duke mohuar çdo akuzë.

I riu ishte nën hetim prej gjashtë muajsh, ndërsa jetonte në një shtëpi me qera në zonën e “21 Dhjetorit”, si dhe lëvizte herë pas here për në Greqi dhe Kosovë, ku në një pjesë të mirë të rasteve, kalonte ilegalisht nga kufiri i gjelbër.

Hektor Xheçuka, 30 vjeç, me origjinë nga Burreli dhe me banim në Tiranë, njihej ndryshe edhe si Tori.

Emiljano Boçi 32 vjeç, u vra më 14 janar 2018, në zonën e ish-parkut të autobusëve në kryeqytet. Krimi ndodhi teksa ai doli nga një restorant, bashkë me të dashurën dhe shokun e tij, Melvin Disha, 27 vjeç, i cili mbeti i plagosur. Ndërsa e dashura e viktimës mundi të shpëtojë, duke lajmëruar policinë.

Mësohet se autori i krimit qëlloi nga pjesa e pasme e makinës “Range Rover”, duke shënjestruar Boçin.

Dyshohet se Xheçuka, është vrasës me pagesë, madje cilësohet si një ndër më të rrezikshmit në Shqipëri.

Po ashtu 30-vjeçari mendohet se është pjesë e bandës së Emiljano Shullazit.

Dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës, për shkak edhe të lëvizjeve të shumta të viktimës, drejt Gjermanisë dhe Holandës.

Madje viktima bashkë me shokun e plagosur, kishin vetëm pak ditë që ishin kthyer në Shqipëri, në momentin e krimit.

Ndërkohë Xheçuka dyshohet se vepronte aktivisht në zonën e Tiranës dhe Kamzës, ku dhe qëndronte i fshehur.

Edhe në vitin 2015, Hektor Xheçuka ishte arrestuar nga policia për tentativë vrasje, për tu liruar pak kohë më vonë, për mungesë provash. /a.y/noa.al

I arrestuari për ekzekutimin në Tiranë, dyshohet vrasës me pagesë