Transmetuar më 28-10-2018, 14:34

Breshëri të shtënash dhe momente terrori për banorët e fshatit Bularat në Gjirokastër, ku një person pasi hapi zjarr në ajër, qëlloi edhe ndaj policisë.

Pak ditë më parë 35-vjeçari grek Kostandinos Kaçifa, kishte bërë një publikim në Facebook, i cili duket si paralajmërim.

“Janë të ftuar të gjithë grekët e Vorio-Epirit ne 28 tetor të dërgojmë një mesazh për të gjithë… Greqi ose vdekje”, kishte shkruar i riu.

Po ashtu ai vijonte më tej duke thënë se Kryeministri grek Aleksis Tsipras po bëjnë plane pa të zotin e shtëpisë.

Ai paralajmëronte se, “Për një gjë të jenë të sigurt, rinia e ashpër dhe e zjarrtë e Vorio-Epirit nuk do jetë spektatore. Janë të ftuar të gjithë grekët e Vorio-Epirit ne 28 tetor të dërgojmë një mesazh për të gjithë… Greqi ose vdekje”, shkruante Kaçifa në mesazhin e tij. Ditën e sotme i riu hapi zjarr në mënyrë të beftë, teksa në Bularat po mbahej festa.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të kësaj të diele, në krye të fshatit Bularat.

Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç, personi që shikoni në fotografi, qëlloi me breshëri të shtënash në ajër. Të sinjalizuar për ngjarjen, në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar efektivët e policisë të cilët ishin të dislokuar në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.

Por Kaçifa sapo ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri 35-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të të policisë së Gjirokastrës vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij. Në ndihmë të policisë së Gjirokastrës kanë shkuar forcat speciale RENEA dhe një helikopter. Ai është lokalizuar dhe rrethuar nga policia në një depo uji, ku prej andej janë shënuar të shtëna ndaj policisë.

Bëhet me dije se Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat. /a.y/noa.al

Terror në Gjirokastër! Breshëri të shtënash dhe sulm ndaj policisë

Hapi zjarr ndaj policisë, kush është personi që terrorizoi Gjirokastrën