Transmetuar më 28-10-2018, 13:22

Një djalë i ri hapi zjarr në mënyrë të beftë, teksa në një fshat të Gjirokastrës po mbahej një festë. Por teksa në ndjekje të tij u vu policia, i riu nuk kurseu as uniformat blu.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të kësaj të diele, në krye të fshatit Bularat. Mësohet se Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç, personi që shikoni në fotografi, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Të sinjalizuar për ngjarjen, në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar efektivët e policisë të cilët ishin të dislokuar në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.

Por Kaçifa sapo ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i  mjetit të policisë.

Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri 35-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të të policisë së Gjirokastrës vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Në ndihmë të policisë së Gjirokastrës kanë shkuar forcat speciale RENEA dhe një helikopter.

Bëhet me dije se Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat. Bazuar në dëshmitë e banorëve të zonës, rezulton se ai kishte çrregullime mendore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar drejt Greqisë. /a.y/noa.al

Terror në Gjirokastër! Breshëri të shtënash dhe sulm ndaj policisë