Transmetuar më 08-08-2018, 09:36

Rëndohet edhe më tej bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur në periferi të Tiranës, pranë Kamzës paraditen e së mërkurës.

Pak minuta pas ngjarjes ka humbur jetën edhe një person i dytë i përfshirë në aksident. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet R.I., 29-vjeç.

Ky i fundit ishte duke udhëtuar me biçikletë teksa u përplas nga mjeti që drejtohej nga shtetasja me inicialet R.K.

Më herët në vendngjarje ndërroi jetë vajza 7-vjeçare me inicialet E.N e cila ishte duke ecur në trotuar me nënën dhe motrën e saj më të vogël.

Raportohet se edhe nëna e saj 29-vjeçare me inicialet V.N. dhe vajza tjetër 6-vjeçare me inicialet E.N. janë plagosur rëndë, kjo e fundit është në gjendje kritike për jetën.

E mitura aktualisht ndodhet në sallën e operacionit.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur pranë shinave të trenit në Kamëz ku shtetasja me inicialet R. K., ka humbur kontrollin e mjetit me targë AA 071 UA, duke u përplasur me biçikletën fillimisht dhe më pas me këmbësorët, nënën me dy fëmijët që ndodheshin në trotuar.

Policia thotë se ka ndaluar drejtuesen e mjetit dhe po kryen veprimet procedurale në vendngjarje./a.m./noa.al/ 

Shoferja humbet kontrollin e përplas kalimtarët, humb jetën 7-vjeçarja, rëndë nëna dhe motra 6-vjeçare