Transmetuar më 24-07-2018, 09:21

Ambasada shqiptare në Athinë, nuk konfirmon që të ketë shqiptarë mes viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë Athinën.

Bëhet me dije se nga kontakti i vazhdueshëm me përfaqësuesit e komunitetit në zonat e goditura por edhe me autoritetet nuk flitet për shqiptarë, as mes viktimave dhe as mes të lënduarve.

Kujtojmë se ka shkuar në 50 numri i viktimave, si pasojë e zjarreve të fuqishme, të cilat qysh prej mëngjesit të së hënës kanë përfshirë Greqinë.

Mëngjesin e sotëm, siç njofton Kryqi i Kuq, trupat e karbonizuar të 26 personave, janë gjetur në oborrin e një vile në Mati, rreth 40 kilometra në periferi të Athinës.

Më herët u fol për së paku 24 persona të vdekur dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur, si pasojë e zjarreve shkatërruese që kanë përfshirë dy pyje në afërsi të Athinës.

Ndërkohë që në vend temperaturat kanë shkuar në 40 gradë.

Autoritetet kanë deklaruar gjendjen e emergjencës si dhe kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Europian. Sakaq mijëra persona janë në arrati, ndërkohë që ekipet e shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve po punojnë me kapacitet maksimal.

24 viktimat u gjetën në orët e para të mëngjesit të sotëm në brigjet e Rafinas dhe Nea Makrit. Rezulton se ata ishin izoluar në banesa dhe makinë, ku në tentativë për tu larguar përmes detit, mbetën të mbytur.

Mes tyre ka edhe shumë fëmijë, si dhe një foshnjë vetëm 6 muajshe.

Thirrjeve për ndihmë nga ana e Greqisë iu është përgjigjur Qipro dhe Spanja.

Autoritetet greke dyshojnë se zjarret që po shkatërrojnë pyjet që rrethojnë Athinën, janë të qëllimshme.

Sakaq si pasojë e zjarreve të fuqishme të nisura që nga mëngjesi i së hënës, është shkatërruar edhe zona turistike e Kineta. /a.y/noa.al

Shkon në 50 numri i viktimave nga zjarret Greqi, 26 trupa të karbonizuar gjenden në një vilë

Greqia digjet nga zjarret, 24 të vdekur dhe mijëra në arrati