Transmetuar më 11-07-2018, 15:53

Kryeprokurorja Arta Marku në raportimin e ditës së sotme në Komisionin parlamentar të Ligjeve, lidhur me punën e organit të akuzës gjatë vitit 2017, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve demokratë.

Edi Paloka, e pyeti nëse është hetuar çështja e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, i cili akuzohet për trafik droge.

Por prokurorja e Përgjithshme, deklaroi se Prokuroria është një institucion i decentralizuar, dhe janë prokurorët përgjegjës për hetimet.  

Sipas saj, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë për një hetim konkret, apo të japë urdhra apo udhëzime konkrete.

“Mund të japë udhëzime vetëm të përgjithshme. Prokurori i çështjes është titullari dhe përgjegjësi i pa diskutueshëm i çështjes që ka në hetim. Është në përgjegjësinë e secilit prokuror të fillojë një hetim kryesisht dhe vetëm gjykata është ajo që vendos ligjshmërinë e hetimit të një prokurori”, u shpreh Marku.

Ajo shtoi se nuk e ka detyrim ligjor që të ketë një informacion të tillë.

Madje drejtuesja e organit të akuzës, këmbënguli duke thënë se asnjë prokuror nuk ka tagër të vijë në komision dhe të japë njoftime për çështje konkrete.

Sa i takon shkarkimeve dhe emërimeve në Prokurori, Marku deklaroi se janë lëvizje të përkohshme. /a.y/noa.al

Arta Marku raporton para deputetëve: Nën hetim disa grupe kriminale