Transmetuar më 11-07-2018, 14:06

Kryeprokurorja Arta Marku ishte mesditën e sotme në Komisionin parlamentar të Ligjeve, për të prezantuar raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme.

Në daljen e parë për raportim para deputetëve, qysh nga marrja e detyrës, Marku u ndal në zhvillimet kryesore të vitit 2017.

Ajo tha se u garantua pavarësia e Prokurorisë, ndërsa zbatimi i kuadrit të ri ligjor dhe aktet nënligjore të miratuara janë fryt i konsultimit me gjithë prokuroritë e rretheve.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit, tha se është prioritet i Prokurorisë, ku janë nisur 12 procedime penale për zyrtarë të lartë dhe prokurorë.

“Nga Krimet e Rënda janë kryer hetime pro aktive për 11 procedime penale. Ka pasur një rritje prej 69% për korrupsion në 2017, në krahasim me 2016. Për 2017 për korrupsion, prokuroria ka regjistruar 124 procedime penale. 3 procedime për zyrtarët e lartë vendorë, ndaj 2 në 2016. Për korrupsionin aktiv të gjyqtarëve, 4 të pandehur, ndërsa në 2016, 3 procedime. Në 2017 u dënua një gjyqtar i gjykatës së lartë. Hetimet nga prokuroria në 2017 nuk i përgjigjen perceptimit të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, tregon mungesë bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese”, u shpreh Marku.

Sa i takon krimit të organizuar, shtoi se kërkon përgjigje të koordinuar, ndërsa bëri me dije se po zhvillohen hetime për disa grupe kriminale.

“Gjatë vitit 2017, kanë nisur 17 procedime për banda dhe organizata kriminale, 16 për grup të strukturuar, ndërsa në 2016, 17 për këtë vepër. Procedimet për prodhim droge janë rritur me 51.3%. procedimet për kultivim janë ulur me 76.7%, për trafik droge është rritur me 26.5%”, deklaroi kryeprokurorja.

Por në nisje të fjalës së saj, deputeti demokrat Edi Paloka tha se, Arta Marku nuk përfaqëson asnjë institucion kushtetues, pasi është zgjedhur vetëm me 69 vota. /a.y/noa.al