


Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka dalë me deklaratë lidhur me konfirmimin në detyrë të kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, e cila iu nënshtrua procesit të vetingut dhe e kaloi.
Ai thotë se Arta Marku duhej të shkarkohej për mospërmbushje të kritereve të integritetit moral e profesional.
Sipas tij, kryeprokurorja duhet të ishte shkarkuar nga detyra për të paktën 5 arsye të forta, të argumentuara me fakte dhe të pakundërshtueshme.
– Në 6 muaj në krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime dhe komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar dhe shkarkuar drejtues prokurorie, në shkelje flagrante me kompetencat e saj ligjore.
– Duke vepruar si prokurore politike, Arta Marku ka shkelur ligjin duke vendosur prokurorinë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
– Gjatë ushtrimit të detyrës si prokurore, ka kërkuar mbajtjen në burg të qytetarëve, jashtë kritereve që parashikon ligji.
– Ka deklaruar ndërtime pa leje, në shkelje me ligjin, dhe pa justifikuar burimin e ligjshëm të financimit.
– Në cilësinë e Prokurores në Shkodër, mbajti në burg në mënyrë të paligjshme një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr lirinë në mënyrë të padrejtë.
Deputeti demokrat tha se nëse procesi i vetingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra.
Sipas tij, kjo nuk ndodhi, sepse procesi drejtohet nga Edi Rama. Prandaj shtoi ai, kushdo që i shërben atij në sistemin e drejtësisë në shërbim të korrupsionit të Qeverisë së tij dhe krimit të organizuar, do ta kalojë vetingun dhe do të qëndrojë në detyrë.
“Sot në krye të Prokurorisë është një person i paaftë profesionalisht dhe që meritë të vetme të saj ka besnikërinë ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm! Vendimi i sotëm i Komisionit të vetingut provon zbatimin e standardeve të dyfishta, duke larguar këdo që Edi Rama ka futur në listën e zezë dhe duke mbajtur në sistem këdo që i shërben atij”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.
Ai tha ndër të tjera se PD e konsideron konfirmimin në detyrë të “kamikazes së Edi Ramës” në krye të Prokurorisë si një lajm të keq për Reformën në Drejtësi dhe procesin e vettingut.
Alibeaj garantoi qytetarët se kushdo që ka shkelur ligjin do të përgjigjet para tij, “përfshirë kamikazen e Edi Ramës” në krye të prokurorisë dhe kushdo tjetër që në vend të ligjit dhe Kushtetutës, zgjedh t’i shërbejë Kryeministrit dhe interesave mafioze. /a.y/noa.al
Kryeprokurorja Marku del “e pastër” nga vetingu, konfirmohet në detyrë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





