Transmetuar më 21-06-2018, 14:24

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, shprehet optimist për qëndrimin e Gjermanisë, lidhur me çeljen e negociatave me Shqipërinë.

“Falenderojmë me mirënjohje kancelaren (Angela Merkel) dhe qeverinë gjermane për konfirmimin e mbështetjes ndaj Shqipërisë”, shprehet Bushati.

Ai thotë se qartësia pro-zgjerimit, maturia dhe qëndrimi i ndershëm i partnerit tonë janë të mirëpritur e orientues përgjatë këtij rrugëtimi sfidues që bazohet te logjika e kushtëzimit demokratik dhe e ndjekjes së vazhdueshme të progresit në reforma.

Sipas tij, aktrimi grotesk i opozitës sot në Kuvend është një përpjekje e pafat, por e përsëritur për të bërë të zezën të bardhë.

Po ashtu edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Kunt Fleckenstein, gjatë një interviste, deklaroi se Gjermania ka dhënë sinjal të qartë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se mazhoranca e falimentuar moralisht dhe politikisht, po mundohet që të japë përshtypjen se gjithçka po ecën normalisht.

Duke folur sot në Kuvend, ai deklaroi se Edi Rama është informuar siç e ka informuar dhe ai vetë, për fatin e negociatave dhe të integrimit europian.

Ai akuzoi Kryeministrin se bën të paditurin për të fshehur të vërtetën përmes mediave të kapura për gryke, me shantazhe dhe para.

“Mbrëmë kristiandemokratët dhe socialdemorkatët gjermanë, kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i takon hapjes ose jo të negociatave me Shqipërinë. Siç Rama e di fare mirë, është lajmi më i keq që mund të prisnin shqiptarët, është verdikti gjerman, i qeverisë gjermane, i mazhorancës gjermane kundër negociatave”, u shpreh Basha.

Ai tha se Rama ka gënjyer, dhe se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. /a.y/noa.al

Negociatat, Fleckenstein: Franca skeptike, Gjermania sinjale të qarta për “po”

Basha: Gjermania doli me vendim kundër negociatave! Rama bën të paditurin

Foto arkiv