Transmetuar më 21-06-2018, 11:00

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se mazhoranca e falimentuar moralisht dhe politikisht, po mundohet që të japë përshtypjen se gjithçka po ecën normalisht.

Duke folur sot në Kuvend, ai deklaroi se Edi Rama është informuar siç e ka informuar dhe ai vetë, për fatin e negociatave dhe të integrimit europian.

Ai akuzoi Kryeministrin se bën të paditurin për të fshehur të vërtetën përmes mediave të kapura për gryke, me shantazhe dhe para.

“Mbrëmë kristiandemokratët dhe socialdemorkatët gjermanë, kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i takon hapjes ose jo të negociatave me Shqipërinë. Siç Rama e di fare mirë, është lajmi më i keq që mund të prisnin shqiptarët, është verdikti gjerman, i qeverisë gjermane, i mazhorancës gjermane kundër negociatave”, u shpreh Basha.

Ai tha se Rama ka gënjyer, dhe se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave.

Sipas tij, rezoluta që do miratohet javën e ardhshme, tregon pabesueshmërinë totale nga Edi Rama apo nga hallka institucionale të blera nga ai.

Por për shkak të mbarimit të kohës, kryeparlamentari Gramoz Ruçi i ndërpreu fjalën dhe përballë refuzimit të kryedemokratit për t’u ulur, ndërpreu seancën për 10 minuta. /a.y/noa.al